Tokat e vjedhura, qeveria vendos rregullat për verifikimin
Qeveria ka zbardhur udhëzimet për verifikimin e pronave në bregdet dhe të atyre që janë shpërndarë në ish-ndërmarrjet bujqësore. Përcaktohen rastet kur hiqet pronësia dhe dokumentet që do të verifikohen
Dalin udhëzimet e qeverisë për verifikimin e titujve të pronësisë mbi tokat bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të zonës së zhvillimit me përparësi turizmin në të gjithë vendin. Sipas këtij udhëzimi, janë komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë (KV) që kryejnë verifikimin apo shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, kur kërkesa paraqitet nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Procedura fillon nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, e cila dërgon në KV kërkesën për verifikimin apo shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të aktit të marrjes së tokës në pronësi, bashkë me relacionin përkatës, kur, në bazë të shkronjës “ç”, të pikës 2/1, të udhëzimit nr. 2, datë 8.4.2009, të Këshillit të Ministrave, konstaton se regjistrimi në origjinë i tokës bujqësore ka mangësi apo është kryer në kundërshtim me ligjin. Këto shkelje duhet që të jenë të faktuara nga ana e këtyre njësive në aktin e marrjes së tokës në pronësi, ku mungojnë një apo më shumë elementeve të formës a përmbajtjes, të përcaktuara në pikën 1 të këtij udhëzimi. Në këto raste, KV-ja vendos mosshqyrtimin e kërkesës, kur akti i marrjes së tokës në pronësi (origjinali, dokumenti i njehsuar me origjinalin, dublikata apo fotokopja e noterizuar) rezulton se nuk plotëson të paktën njërën nga kërkesat e përcaktuara udhëzimin nr. 2, datë 8.4.2009, të Këshillit të Ministrave, ose shqyrtimin e kërkesës, kur akti i marrjes së tokës në pronësi (origjinali, dokumenti i njehsuar me origjinalin, dublikata apo fotokopja e noterizuar), rezulton se nuk plotëson të paktën njërën nga kërkesat e përcaktuara në shkronjat “c”, “d” e “dh”, të pikës 1, të udhëzimit nr. 2, datë 8.4.2009, të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, në rastet kur merret në shqyrtim, përfshihen edhe kur akti i marrjes së tokës në pronësi nuk administrohet në zyrën e regjistrimit ose administrohet një kopje e panoterizuar, edhe pse regjistrimi rezulton i kryer. KV-të për kërkesat e paraqitura për këto raste vendosin mosshqyrtimin e tyre. Këtu përfshihen edhe të gjithë ato raste kur sipërfaqja e të gjitha pasurive të dhëna me aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, në total, del më e vogël se sipërfaqja e këtyre pasurive, të dala gjatë regjistrimit fillestar dhe të pasqyruara në kartelat e pasurisë. KV-ja vendos shqyrtimin e kërkesave të paraqitura për këto raste vetëm kur kërkuesi ka përcaktuar saktësisht çfarë kërkon të verifikojë apo shqyrtojë në aktin përkatës të marrjes së tokës në pronësi.
***
Kur komisioni ka vendosur shqyrtimin e kërkesave të sipërpërmendura, mbledh dokumentacionin e nevojshëm, duke iu drejtuar kryetarit të komunës/bashkisë përkatëse, të cilit i kërkohet sipërfaqja e tokës bujqësore, të vënë në dispozicion për t’u ndarë, sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore, numri i frymëve, sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore apo më 1.10.1992 për ish-ndërmarrjet bujqësore; norma e tokës bujqësore në m2, për frymë, sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore, duke specifikuar treguesit e domosdoshëm, të përcaktuar në vendimin nr. 255, datë 2.8.1991 të Këshillit të Ministrave, si dhe një sërë dokumentesh të tjera, të cilat tregojnë qartazi sesi është shpërndarë toka në këto zona. Janë seksionet e administrimit dhe mbrojtjes së tokës në Këshillin e Qarkut, që dërgojnë në komisionet vendore kërkesën për verifikim apo shqyrtim të vlefshmërisë ligjore të krijimit të aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, së bashku me relacionin përkatës, në bazë të pikave 4 e 4/1, të udhëzimit nr. 2, datë 8.4.2009, të Këshillit të Ministrave, kur konstaton se akti i marrjes së tokës bujqësore në pronësi është kryer në kundërshtim me ligjin, për rastet kur përfituesi nuk ka qenë subjekt i trajtimit me tokë bujqësore, sipas njërit nga aktet e mëposhtme, ligjore e nënligjore,: ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar, ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995, “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, ligjit nr. 8312, datë 26.3.1998, “Për tokat bujqësore të pandara”, dhe vendimit nr. 452, datë 17.10.1992, të Këshillit të Ministrave, “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve shtetërore”, të ndryshuar. Komisioni vendor për këto raste vendos shqyrtimin e kërkesave të paraqitura, se akti i marrjes së tokës bujqësore në pronësi nuk përmban të gjitha elementet e përcaktuara në pikën 1, të udhëzimit nr. 2, datë 8.4.2009, të Këshillit të Ministrave. Komisioni vendor për kërkesat e paraqitura në këto raste vendos mosshqyrtimin e kërkesës, kur akti i marrjes së tokës bujqësore në pronësi (origjinali, dokumenti i njësuar me origjinalin, dublikata apo fotokopja e noterizuar) rezulton se nuk plotëson të paktën njërën nga kërkesat e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” e “ç”, të pikës 1, të udhëzimit nr. 2, datë 8.4.2009, të Këshillit të Ministrave apo shqyrtimin e kërkesës, kur akti i marrjes së tokës bujqësore në pronësi (origjinali, dokumenti i njësuar me origjinalin, dublikata apo fotokopja e noterizuar), rezulton se nuk plotëson të paktën njërën nga kërkesat e përcaktuara në shkronjat “c”, “d” e “dh”, të pikës 1, të udhëzimit nr. 2, datë 8.4.2009 të Këshillit të Ministrave.
Kur KV-ja pas verifikimit apo shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi konstaton se:
a) këto akte janë krijuar në përputhje me kriteret e përcaktuara në nenet 2, 3 e 4, të ligjit nr. 9948, datë 7.7.2008, deklaron me vendim, vlefshmërinë ligjore të krijimit të tyre dhe përgatit dokumentin e ri për rikonfirmim, sipas modelit të paraqitur në lidhjen “B”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi. Ky dokument përgatitet në tri kopje, nga të cilat:
i) një kopje, e lidhur me vulë lidhëse me fotokopjen e aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, dërgohet në zyrën vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, e cila i bashkëlidhet aktit origjinal të marrjes së tokës bujqësore në pronësi.
ii) një kopje i jepet përfaqësuesit me prokurë të familjes bujqësore.
iii) një kopje, së bashku me aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi dhe
dokumentacionin e krijuar, ruhet në dosjen përkatëse të komisionit vendor. KV-ja mban një regjistër të veçantë për regjistrimin e akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi të rikonfirmuara, kopertina e të cilit përgatitet sipas modelit të paraqitur në lidhjen “C”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi, ndërsa fletët kanë përmbajtjen sipas modelit të paraqitur në lidhjen “D”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi.
b) këto akte janë krijuar në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në nenet 2, 3 e 4, të ligjit nr. 9948, datë 7.7.2008, të ndryshuar, vendos pavlefshmërinë ligjore të titullit të pronësisë dhe i drejtohet gjykatës me kërkesë për deklarimin e pavlefshmërisë së aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, shfuqizimin e tij dhe kthimin e pronës në pronësi të shtetit, në përputhje me nenin 9 e 10, të ligjit të sipërpërmendur.
c) këto akte janë krijuar, pjesërisht, për një pjesë të sipërfaqes, në përputhje me kriteret e përcaktuara në nenet 2, 3 e 4, të ligjit nr. 9948, datë 7.7.2008, ndërsa pjesërisht në kundërshtim me këto kritere, vendos, si më poshtë vijon:
i) Kur cenohet interesi shtetëror vendos pavlefshmërinë ligjore të pjesshme të titullit të pronësisë dhe i drejtohet gjykatës me kërkesë për deklarimin e pavlefshmërisë së pjesshme të aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, shfuqizimin e pjesshëm të tij dhe kthimin e pronës në pronësi të shtetit, në përputhje me nenet 9 e 10 të ligjit të sipërpërmendur.
ii) kur cenohet interesi i familjes bujqësore, në favor të së cilës është lëshuar akti i marrjes së tokës bujqësore në pronësi, vendos plotësimin e këtij akti. Vendimi titullohet “Vendim për plotësimin e aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi” dhe përgatitet në tri kopje origjinale, nga
të cilat:
- një kopje e lidhur me vulë lidhëse me fotokopjen e aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, dërgohet në zyrën vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për t’iu bashkëlidhur aktit origjinal të marrjes së tokës bujqësore në pronësi;
- një kopje i jepet përfaqësuesit me prokurë të familjes bujqësore;
- një kopje, së bashku me aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi dhe
dokumentacionin e krijuar, ruhet në dosjen përkatëse të komisionit vendor.
KV-ja është e detyruar që për të gjitha aktet e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, për të cilat vendos plotësimin e tyre, të mbajë një regjistër të veçantë. Kopertina e këtij regjistri titullohet “Regjistër i vendimeve për plotësimin e akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi”, ndërsa në faqet e brendshme të regjistrit regjistrohen të dhënat e aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, që po plotësohet, të dhënat e vendimit për plotësimin e aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi dhe dispozitivi i tij. Në asnjë rast, plotësimi i mangësive apo i parregullsive të aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, nuk duhet të synojë:
- ndryshimin e gjendjes juridike të pronësisë;
- shtimin e sipërfaqes së tokës bujqësore mbi sipërfaqen e përcaktuar në aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi;
- ndryshimin e vendndodhjes së ngastrave, të përcaktuara në aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi.
ç. Për kërkesat e individëve për shfuqizimin e aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, të dikujt tjetër, me argumentimin se është dhënë në kundërshtim me ligjin, KV-ja vendos shqyrtimin e tyre.