Krimet e Rënda, pezullohet çështja për Budion Meçen
Tiranë- Në seancën e sotme, në vijim të çështjes “Remzi Hoxha” Gjykata e Krimeve të Rënda pezulloi çështjen në ngarkim të ish inspektorit të SHIK-ut Budion Meçe, i cili është bashkë i pandehur në gjyqin për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha.
Ka qenë prokurori i çështjes Xhevat Hana, i cili kërkoi pezullim të çështjes dhe trajtim të veçantë të të pandehurit, ndërsa avokati mbrojtës kërkoi pushim të çështjes, pasi sipas tij vepra penale e rrëmbimit të personit është amnistuar vite me parë.
Mjeku ligjor në një relacion të mbajtur në seancë konstatoi se gjendja shëndetësore e Budion Meçes është e rëndë dhe i akuzuari nuk mund të marrë pjesë në proces, apo të dëshmojë. Për këtë deri në hedhjen e shortit, cëhstja në ngarkim të tij mund të quhet e pezulluar.
Gjykata rrëzoi dhe kërkesat e avokatëve mbrojtës për pushimin e çështjes së veprës së rrëmbimit dhe trasferimin e veprës penale “tortura me pasoja të rënda” për gjykim në një gjykatë tjetër.
Avokati mbrojtës i Avni Koldashit argumentoi se klienti i tij nuk ka marrë pjesë në torturimin e biznesmenit shqiptaro maqedonas, vetëm ka bërë shoqërimin e tij.
Të pandehurit Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe Abdyl Loshajt.
Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë.