Kriza Topi-Berisha po kthehet në krizë institucionale
Panorama aktuale politike e tërheq vëmendjen në problemet e brendshme të shumicës në pushtet, sidomos në fërkimet brenda Partisë Demokratike. Sipas ish-kryeministrit socialist, deputetit Bashkim Fino, kjo situatë që buron nga lufta opozitare për transparencën e zgjedhjeve po e përcjell tensionin politik të shumicës në një tension institucional.
Z. Fino, besoni se sesioni i ardhshëm parlamentar do të fillojë aty ku mbaroi, duke kaluar nga një korrik i grushteve në Parlament, te një shtator i krizës?
Unë mendoj se Parlamenti është salla e debateve të politikës natyrisht, jo e grushteve, e ideve dhe mendimeve që natyrisht opozita i ka shprehur në këtë sesion dhe të oponencës që ajo ka bërë. Më lejoni të them se në këta 6 muaj që opozita ka qenë në Parlament, mazhoranca është ndjerë keq me ne, por të kemi parasysh oponencën profesionale të të gjitha projektligjeve që kanë kaluar, pavarësisht qëndrimit tonë politik për të mos marrë pjesë në votim. Pra, ne nuk kemi votuar, por oponencën për nismat ligjvënëse dhe sidomos për buxhetin shtesë e kemi bërë madje shumë profesionale. Kjo e ka bërë nervoze mazhorancën, e cila në reagimet e përfaqësuesve të vet është shprehur shumë e ashpër, siç e pamë edhe në fund fare, ku për të kaluar nen për nen buxhetin e shtetit, Kryetarja e Kuvendit, ndërkohë që ne kërkonim të diskutonim, organizoi një seancë me votim formal dhe jashtë rregullores. Në qoftë se zhvillohet një debat maratonë prej 12 orësh, ku diskutohet në parim për buxhetin dhe pjesa më e madhe e grupit parlamentar të PS-së diskuton me seriozitet për të gjitha çështjet, atëherë konform rregullores bëhet edhe diskutimi nen për nen. Ky është një diskutim më teknik. Aty flitet hollësisht për të ardhurat, shkurtimet, shtesat etj., dhe kjo është e drejtë e të gjithë parlamentarëve, dhe në mënyrë të veçantë e opozitës, për të diskutuar. Mjafton të themi që për nenin e parë u lejua të bëheshin disa diskutime, ndërsa për nenet e tjera u pa shumë mirë se ndërkohë që ne protestonim, Kryetarja e Kuvendit kalonte shumë shpejt ligjin. Me këtë rast mund të them se ajo i “hoqi të drejtën” e fjalës opozitës. Unë e kuptoj se mazhoranca nuk ka dëshirë të diskutojë, por Kryetarja e Kuvendit ia hoqi të drejtën e fjalës edhe mazhorancës, në qoftë se do kishin ndonjë sugjerim dhe ndonjë vërejtje, sikurse kanë bërë edhe në komisione. Pra ky nervozizëm i kësaj shumice vjen si rezultat i rritjes profesionale të opozitës, e cila ka ndikuar në procesin parlamentar të këtyre 6 muajve të fundit. Kjo gjë u vu re edhe në fjalën e Kryeministrit, i cili u shpreh hapur i mërzitur dhe i shqetësuar për mospjesëmarrjen e opozitës në votim. Unë mendoj se kjo linjë profesionale e diskutimeve dhe debatit nga ana e opozitës do të vazhdojë edhe në shtator dhe jam i bindur se mirë i bën edhe mazhorancës, edhe qeverisë, sepse vërtet që duhet të përmirësohen. Natyrisht kjo ka vlerë kur ata dinë të reflektojnë dhe të reagojnë, dinë të marrin racionalen në mënyrë që të rregullojnë diçka në projektligje, por në momentin që ne flasim në vesh të shurdhër, do të thotë se kjo nuk ndikon për mirë edhe në projektligjet që miratohen, që mandej mund edhe të mos zbatohen si duhet në praktikë, por nuk i bën mirë as mazhorancës, nëse nuk merr pjesën më racionale të propozimeve të opozitës.
Ekziston mundësia që opozita ta përdorë bojkotin si mjet edhe për sesionin e ri parlamentar?
Bojkoti është një formë e luftës politike që përdori 6-mujorin e parë opozita. Natyrisht ne nuk kemi dëshirë dhe nuk jemi zyrtarisht bojkotues në tërësi të proceseve politike dhe Parlamentit, por jemi të detyruar dhe kemi pranuar bojkotin për sa kohë kemi kërkuar transparencën e zgjedhjeve, e cila ka arritur një pikë kulmore, që mendoj se duhet të zgjidhet. Ka nisur një diskutim nga kryetarët e grupeve parlamentare. Shpresoj që gjatë gushtit ai të vazhdojë me idenë se ne kemi kërkuar atë çfarë është përcjellë edhe nga faktori ndërkombëtar; pra ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen e materialeve zgjedhore. E kemi thënë dhe e përsërisim shumë herë, pavarësisht se mazhoranca nuk do ta dëgjojë, se ne nuk kërkojmë që me këtë hetim të ndryshojmë ndonjë gjë, as kërkojmë pushtetin në tavolinë, por kjo mendojmë se do na çojë në një komision të përbashkët për Kodin e ri Zgjedhor, që do të duhet të korrigjojë ato pasaktësi të vërejtura nga OSBE-ODIHR, por edhe ato që do të evidentohen nga hetimi parlamentar. Kjo është çështja thelbësore pse ne këmbëngulim për një gjë të tillë dhe në qoftë se kjo do të realizohet, absolutisht nuk bëhet fjalë për të rimarrë bojkotin si mjet veprimi politik. Unë mendoj se janë mundësitë për t’u realizuar një gjë e tillë. Kam përshtypjen se palët kanë frikë për ta pranuar një gjë të tillë, për të thënë që ‘po, ne jemi të gatshëm të ulemi të bëjmë një marrëveshje për të mirën e së ardhmes së zgjedhjeve në Shqipëri’. Kështu që në këtë linjë besoj se opozita shqiptare do të vazhdojë ta kërkojë këtë gjë edhe në muajin shtator. Jo pa qëllim në këta muajt e fundit ne morëm një vendim për të qenë prezent në Parlament, për të diskutuar, por për të mos marrë pjesë në asnjë lloj vendimi. Thjesht për t’u thënë atyre që ne jemi për këtë komision hetimor, pra i dëgjuam ndërkombëtarët, e ndërpremë grevën, u futëm në një proces normal, shkuam në Parlament dhe komisione, çka u pranua edhe nga të huajt. U kthyem në një jetë normale parlamentare, e cila në fund të fundit duhet të sanksionohet me ngritjen e këtij komisioni hetimor për materialet zgjedhore, me marrjen e mendimeve më racionale nga ana e kësaj mazhorance për të ndryshuar ligjet dhe pastaj për të arritur tek ajo që është edhe kryesorja dhe që ka të bëjë me ato ligje që kanë nevojë për shumicë të cilësuar. Këto kërkojnë detyrimisht konsensusin e opozitës dhe ky konsensus duhet dhënë në momentin që ne marrim atë që kërkojmë për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të shkuara. Duhet të kuptojmë se këto ligje janë në funksion të gjyqësorit, të disa kodeve që janë të rëndësishme për jetën shqiptare dhe disa institucioneve kryesore që kanë mbetur shterpë. Por ka rëndësi që këtu të reflektojë mazhoranca, e cila deri më tani nuk ka reflektuar në lartësinë e duhur. Më lejoni të kujtoj që vetëm këtë muaj u kaluan në votime të disa personave, natyrisht jo nominal, siç e kërkuan ata për Gjykatën e Lartë, për të cilët nuk u mor fare mendimi i opozitës. Qoftë për anëtarët e KKRT-së, qoftë për anëtarë të institucioneve të tjera, për të cilat ne kur kemi qenë mazhorancë, kemi ofruar bashkëpunim me opozitën e që aktualisht është shumicë. Fakti që kjo mazhorancë nuk po tregon të njëjtin vullnet, kam përshtypjen se tregon se ajo po i uzurpon në mënyrë të padrejtë të gjitha këto institucione, që në një mënyrë apo në një tjetër profilizohen mandej si partiake.
Si e shpjegoni faktin që në 6 muaj të marrëdhënies së opozitës me Parlamentin nuk ka një kërkesë zyrtare për interpelancë dhe aq më tepër për një mocion, ndonëse Kryeministri Berisha e ofroi këtë si një lloj sfide të hapur?
Pyetja juaj mendoj se përmban dy momente: pjesa e parë nuk është e drejtë, ndërsa pjesa e dytë mund të quhet e saktë. Ne në këto muajt e fundit kemi kërkuar disa interpelanca; një interpelancë të suksesshme e bëmë me deputetin tonë të Vlorës, Eltar Deda, me ministrin e Shëndetësisë; një interpelancë qe ajo e seancës së ditës së hënë, e iniciuar nga deputeti Ditmir Bushati për liberalizimin e vizave, që nuk u realizua për shkak se Parlamenti u mbyll me shpejtësi për të miratuar ndryshimet në buxhet. Pra le të themi se ne gjatë këtyre dy muajve të fundit kemi filluar të bëjmë interpelanca. Absolutisht që është në programin e punës sonë përdorimi i këtij instrumenti gjatë muajit shtator, me një intensitet tjetër, duke thirrur Kryeministrin dhe ministrat për çështje të caktuara. Natyrisht që nuk kemi kërkuar mocion mosbesimi, që edhe ky mund të kërkohet, por në këto momente ne jemi përqendruar në disa çështje shumë të rëndësishme, si transparenca e zgjedhjeve. Pra, jeta parlamentare nuk është në një hulli të lirshme, që pse jo të bësh sa më shumë interpelanca, dhe si rezultat i këtij procesi, të bësh në finale edhe një mocion mosbesimi. Për më shumë që duhet të kesh një shkak për të kërkuar një mocion mosbesimi, sepse qoftë edhe sikur të marrim aritmetikën e thjeshtë të numrave, ne natyrisht nuk i kemi ato për ta rrëzuar qeverinë. Dhe këtu qëndron edhe hipokrizia e Kryeministrit Berisha, i cili edhe gjatë seancës ku diskutohej buxheti, u shpreh: “Më kërkoni mocion mosbesimi”. Por nuk mund të kërkohet mocion mosbesimi kur nuk i kam 71 vota. Unë mund ta kërkoj këtë gjë në një moment kur për ligje të rëndësishme, siç ishte ai për SHISH-in, një pjesë e mazhorancës voton kundër. Për sa kohë që nuk ekziston kjo situatë, ne nuk mund të bëjmë lojëra me mocionin, duke e kërkuar atë pa pasur fillimisht numrat e nevojshëm. Mocioni kërkohet për çështje të rëndësishme, madhore, për të cilat vërtet ka një tronditje të shumicës, tronditje e cila mund të sjellë vota kundër saj.
Mendoni se ligji për SHISH-in ka dhënë një tronditje të kësaj natyre?
Unë mendoj se më shumë se sa e ka tronditur, ligji i SHISH-it ishe për të përdorur diçka nga zhargoni popullor, ‘një hile’. Në momentin që ata bënin numrat dhe do të kishte një mungesë nga deputetët e opozitës, ata do e kalonin. Boll ta kishte në rend dite. Kjo edhe ndodhi gjatë seancës së fundit, çka flet për peshën e grupit tonë parlamentar, sidomos në krijimin e situatave të tilla, kur aleati i PD-së, LSI-ja, voton kundër.
Duket sikur koalicioni PD–LSI ka nismuar një proces të përbashkët për reformën zgjedhore, ndërkohë që opozita është në një qetësi të plotë. Mendoni se opozita ka kohë për të filluar një betejë elektorale të parashikuar për 2011-n?
Mendoj se edhe kjo që po bën koalicioni është një antitezë, një kundërgoditje e asaj çfarë po bën opozita. Absolutisht e kemi kërkuar ne një gjë të tillë, por që të vijmë te ndryshimet dhe rregullimet e Kodit Zgjedhor, do thuhet 1 pa të thuhet 2. Domethënë ne duhet të bëjmë komisionin hetimor, të nxjerrim në pah gjithçka ka ndodhur në zgjedhje dhe jo të bëjmë sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe ky material mandej bën të mundur që të gjitha forcat politike parlamentare të mund të ulen për të bërë rregullimet e nevojshme. Nxitimi i PD-së me LSI-në kërkon të anashkalojë kërkesat e opozitës, e cila është thelbësore. Për më shumë që dihet se ata nuk mund ta bëjnë dot ndryshimin që kërkojnë; vetëm PD me LSI që bëjnë maksimumin me 73 apo 74 vende në Parlament, kur kanë përballë një opozitë të cilën e ka votuar 50% e popullsisë. Ndryshimet e kodit janë bërë me marrëveshje të forcave të mëdha politike, në disa raste edhe me mosmarrëveshjen e forcave të vogla, por që nuk kanë ndikuar ndonjë gjë në jetën politike. Dhe në rastin konkret kam përshtypjen se kjo është një lojë politike, një lojë nervash ndaj nesh, që ata mblidhen në tryeza dhe diskutojnë se si mund të ndryshohet kodi, ndërkohë që lënë jashtë opozitën. Nuk mund të lihet jashtë opozita në asnjë vend të botës, kur bëhet fjalë për rregullimin e kodit ekzistues, aq më tepër kur jemi para zgjedhjeve lokale.
Z. Fino, mendoni se e gjithë kjo situatë jonormale parlamentare ka provokuar acarimin në marrëdhëniet mes institucioneve të rëndësishme në vend? Së fundmi, ne kemi një polemikë të hapur mes PD-së dhe institucionit të Presidentit për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë...
Kjo është kriza, le të themi, që ka pllakosur këtë mazhorancë me institucione të ndryshme. Dhe kjo krizë ka ardhur edhe si rezultat i luftës politike që ka zhvilluar opozita. Sepse po të ishim në kushte normale, në Parlament me siguri që nuk do të kishte ndoshta krizë të institucioneve si Presidenti, Gjykatat me Parlamentin dhe këtë mazhorancë. Unë mendoj se kjo ka ardhur si rrjedhojë e përplasjes mes pozitës dhe opozitës dhe për sa kohë ka këtë lloj përplasjeje, ku ne kërkojmë zgjedhje të lira të ndershme, këto përplasje kalojnë në plan të dytë, por ato reflektojnë atë çfarë përbën thelbin e situatës. Kokëfortësia e Berishës, që kalon dekrete dhe me ndryshimin e fundit të Rregullores së Parlamentit - një skandal i vërtetë ku njerëzit ngrihen në këmbë si në klasë të parë dhe deklarojnë ‘Bashkim Fino, pro kundër...’ për një emër të caktuar, ndërkohë që secili ka lirinë për të gjykuar mbi kriteret dhe profesionalizimin – përbën edhe arsyet e përplasjeve. Pra, deputetët që votojnë në këmbë, ashtu si thotë udhëheqësi i tyre, pa pasur parasysh profesionalizmin dhe kriteret e përvojës etj., por edhe gjykimin politik, atëherë është e natyrshme që të krijohen situata të këtilla. Kjo edhe ndodhi për shembull me juristin Sokol çomo, i cili në Komisionin e Ligjeve dha përgjigje shumë profesionale, por u rrëzua pse ka qenë gjykatës në kohën e qeverisjes socialiste... Kryeministri është mësuar me këto lloj krizash, ai madje i bën me vetëdije këto. Gjithsesi kjo sjellje po e thellon hendekun mes tij dhe këtij Presidenti të zgjedhur po nga radhët e kësaj shumice ,me ndihmën e 6 votave të trafikuara nga Partia Socialiste. Ne na vjen keq për faktin se kjo krizë që është brenda tyre, kalon në krizë institucionale, pasi duam, nuk duam ne, Bamir Topi është President i Republikës dhe ne e njohim në këtë tagër institucional. Kjo përplasje mendoj se do të përfundojë kur të vijë kandidatura e presidentit të ardhshëm.
Do të jetë kryetari i PS-së një kandidat për një mandat të ri për Bashkinë e Tiranës?
Kjo do jetë një çështje që do e diskutojnë forumet e partisë dhe do vendoset. Mendimi im personal është në funksion të materialeve që do vijnë në forume, në rastin konkret të Asamblesë Kombëtare, se si do të paraqiten. Unë nuk e di se çfarë ka ndërmend Edi Rama, do apo nuk do që të kandidojë. Kjo është çështja e tij private në radhë të parë, në kuptimin si vendim individual, pastaj ka të bëjë edhe me të gjithë ne, meqenëse është kryetar i partisë kryesore të opozitës. Ne do të kemi të drejtën tonë për të dhënë sugjerime. është shumë shpejt dhe nuk ia vlen që kur ne jemi të angazhuar për çështjen më thelbësore dhe vendimtare, kur kërkojmë transparencë, të hapim debatin për kandidatura. Sepse siç është kryetari i Bashkisë së Tiranës, është edhe ai i Gjirokastrës, i Shkodrës, Elbasanit etj.
#