E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushner, Metës: Ju mbështesim për vizat

Takimet Zëvendëskryeministri shqiptar Ilir Meta merr pjesë në ditën e dytë të Samitit të NATO-s për Afganistanin

Shqipëria rikonfirmon angazhimin në mbështetje të misioneve të NATO-s në Afganistan. Takimi dyditor i Estonisë u organizua për diskutimin e konceptit të ri strategjik të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në fakt, lidhur me temën në fjalë, pak gjë mund të kuptohet nga qëndrimi i Shqipërisë, qoftë duke marrë parasysh rolin e një vendi të vogël, por qoftë duke marrë në konsideratë edhe deklarimin e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, si përfaqësues i Tiranës zyrtare në këtë takim. Kështu sipas njoftimeve për shtyp nga Ministria e Jashtme, fjala e numrit dy të qeverisë është përqendruar në kontributin e Shqipërisë për arritjen e objektivave në Afganistan, që përbën sfidën kryesore aktive për Aleancën. “Në fjalën e tij gjatë takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut me vendet kontribuuese në operacionin ISAF në Afganistan, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për arritjen e objektivave të NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar për Afganistanin”, citon Metën, zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme. Sipas saj, numri dy i qeverisë ka premtuar shtimin e kontributit shqiptar në këtë vend, ku angazhimi ushtarak i NATO-s ka arritur kuota maksimale. Në këtë plan-veprimi mund të perceptohet edhe roli i Shqipërisë në përpunimin e konceptit të ri strategjik të Aleancës, i cili mund të shihet si një reformë. “Meta theksoi angazhimin konstruktiv të Shqipërisë me një pozicion të qartë mbi elementët që duhet të përfshijë Koncepti i ri Strategjik i NATO-s dhe në të njëjtën kohë shprehu përkushtimin e vendit tonë për vazhdimin e rolit aktiv deri në miratimin e këtij dokumenti të rëndësishëm strategjik të Aleancës, në Samitin e Lisbonës”, citon zyra e shtypit deklarimin e Metës në Talin.

Nga ana tjetër, takimi është shfrytëzuar nga zv.kryeministri për të marrë mbështetje për sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave që përbën së fundmi angazhimin kryesor të politikës shqiptare. “Mbështesim liberalizimin e vizave dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, është shprehur gjatë takimit me Metën, ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner. Një mbështetje deklarative që i vjen Shqipërisë nga çdo vend, por që në të vërtetë nuk ka sjellë ende rezultate konkrete për problemin e vizave. Kështu, pavarësisht përpjekjeve të bëra, vendi ynë është së bashku me Bosnjë-Hercegovinën në fund të listës së përfituesve. Premtimet e shumta në këtë drejtim kanë krijuar një klimë pozitive, por ende nuk janë në gjendje që të japin një datë përfundimtare për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, që së fundmi janë njohur edhe me vendimin e qeverisë shqiptare për heqje të njëanshme të vizave për qytetarët e Serbisë. Një hapje e plotë nga ana e Tiranës zyrtare, e cila nuk po gjen simetrinë e vet as edhe në rajonin tonë, që përgjithësisht ka vuajtur nga izolimi i brendshëm.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›