Kualifikohen si menaxherë shëndetësorë 100 mjekë dhe ekonomistë
Një grup prej 100 mjekësh dhe ekonomistësh nga institucionet kryesore shëndetësore në vend janë certifikuar dje si menaxherë të këtyre qendrave. Kualifikimi i tyre nisi në 29 shtator të vitit të kaluar në bazë të një projekti të Universitetit "Zoja e Këshillit të Mirë" në Tiranë në bashkëpunim me Universitetin e Firences, Ministrinë e Shëndetësisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Rajonin e Toscanës në Itali. Kursi me temë "Kualifikimi për drejtimin e Institucioneve Shkencore" për 100 menaxherët e parë të institucioneve shëndetësore u krye në dy faza 29 shtator-3 tetor dhe 13-17 tetor 2008.
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast në mjediset e Universitetit Zoja e Këshillit të Mirë, vlerësoi këtë projekt që sipas saj realizohet në kohën e duhur, në kushtet e reformimit të sistemit shëndetësor shqiptar dhe nisjes së reformës spitalore. Ajo vuri në dukje se menaxherët shëndetësorë kanë munguar në vendin tonë, gjë që ka ndikuar negativisht në spitale. Grupi i menaxherëve pritet të ofrojë zhvillime në dy drejtime të rëndësishme, në reformimin e strukturave spitalore në Shqipëri në rang rajonal dhe më tej, si dhe në ofrimin e ideve mbi organizimin e strukturave spitalore dhe strukturave të tjera rajonale. Gjatë zhvillimit të këtij kursi u prezantuan modele të spitaleve në rajonin e Toskanës (Itali). Por, vetë projekti presupozon dhe zhvillon idenë që këto transferime të modeleve duhet të bëhen duke pasur parasysh gjendjen reale në vendin tonë. Programi i kualifikimit përfshiu tema të organizimit, menaxhimit dhe drejtimit të institucioneve shëndetësore dhe spitalore, të financimit dhe të kontabilitetit të tyre, të programimit dhe te kontrollit të veprimtarisë së tyre.