Kuba zhgënjen SHBA-në

Departamenti amerikan i shtetit u shpreh i zhgënjyer nga vendimi i autoriteteve në Kubë për amnisti. Qeveria në Havane njoftoi se 3 mijë të burgosur do të lirohen gjatë ditëve në vijim, por shtetasi amerikan, Alan Gross, nuk është në mesin e tyre.
Gross po vuan një dënim 15 vjeçar, nën akuzat për krime kundër Kubës. Në deklaratën e tij, zëdhënësi i DASH, Mark Toner, sqaroi se arsyeja e burgosjes së tij ishte se Gross pati dërguar pajisje interneti në vendin komunist.
Në fjalimin e tij para Parlamentit, kreu i shtetit kuban, Raul Castro, u shpreh se amnistia prek të burgosurit mbi moshën 60 vjeç, si edhe gra dhe djem të rinj.
Po ashtu do të lirohen edhe 86 të burgosur politikë dhe 86 të huaj. Castro përmendi si arsye për këtë amnisti vizitën e Papa Benedictit XVI në Kubë.