E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdes! Në Korçë është rritur numri i mashtruesve

11/01/2011  Të mashtruarit janë miq, krushq, dhëndurë, shokë fëminie

KORÇE- Edhe viti 2011 në qytetin e Korçës ka nisur me një procedim penal ndaj një shtetasi 33 vjeç, me banim në Korçë, për veprën penale të mashtrimit parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal, i cili në të tilla raste: “Për vjedhje të pasurisë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit dënohet me gjobë ose me burgim deri në 5 vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga 3 gjer në 10 vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim nga 10 gjer në 20 vjet burg”. Edhe pse ligji duket qartë që është i ashpër, sërish nuk ka ndalur dot tundimin e mashtruesve për të mashtruar miqtë dhe njerëzit e afërt të tyre. Viti që sapo lamë pas u mbyll me një sërë denoncimesh në polici dhe Prokurori, pasi viktimat kishin humbur shuma të mëdha parash deri në disa dhjetëra milionë lekë të reja. Tashmë ka filluar të përflitet se në qytetin e Korçës është rritur ndjeshëm numri i mashtrueseve. Ata janë të aftë të shpërdorojnë miqësinë e një shoku të fëmijërisë, të një krushqie të re, të një miku të vjetër, madje nuk kursejnë as kushërinjtë, dhëndurët apo të njohurit e tyre. Nga kjo kategori personash nuk kanë mundur të shpëtojnë as biznesmenët, madje këta të fundit kanë qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së mashtruesve...

Zhdukja e mashtruesve

Në të gjitha rastet e denoncimeve është vërejtur fakti se mashtruesit pasi marrin shumën e lekëve, fikin njëherë e përgjithmonë celularin e tyre, ose ndërrojnë numrat e telefonit në mënyrë të vazhdueshme. Nuk janë të paktë as mashtruesit që ose janë ngujuar në shtëpitë e tyre ose janë larguar diku tjetër për të mos u përballur me viktimat e tyre. Kjo do të thotë se të tjera denoncime të kësaj natyre do të ketë edhe përgjatë këtij viti, pasi viktimat po humbasin durimin e tyre të pritjes. Numri i mashtruesve është shtuar kaq ndjeshëm, sa nëse ke humbur 50 mijë apo 100 mijë lekë të reja, ka nisur të konsiderohet si një shaka, si një fatmirësi e madhe, si një ndihmë që të është ofruar nga Zoti, sepse mashtruesi mund të të kishte marrë një shumë edhe më të madhe se kaq dhe nuk do të ta kishte kthyer kurrë. E vërteta është se ka mjaft qytetarë që kanë humbur me dhjetëra milionë lekë. Së fundi policia bëri të ditur një ngjarje të re. Sipas burimeve policore, aktualisht ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Adriatik S. 33 vjeç, sepse në vitin 2006, i ka vjedhur me anë të mashtrimit shumën prej 450.000 lekësh te reja duke mos ia kthyer më këtë shume lekësh, shtetasit P.T 59 vjeç, banues në lagjen nr., 10 të Korçë. Vepra penale e konsumuar prej tij është ajo e “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal, ndërsa materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë Korçë për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›