E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, rinisin reshjet e shiut dhe të borës

KUKËS- Pas ditësh me mot të mirë, në zonën verilindore kanë rinisur reshje të pandërprera të shiut, ndërsa në zonat mbi 1000 metra mbi nivelin e detit edhe reshje bore.
"Reshjet kanë nisur në orët e vona të natës së kaluar dhe deri tani nuk kanë shkaktuar shqetësime, ndonëse në disa akse rrugore janë rishfaqur rrëshqitjet e materialeve inerte", tha zëdhënësi i zyrës së emergjencës civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema.
Sipas tij, rëshqitjet e dherave e gurëve janë shfaqur në akset rrugore Kukës – Krumë, Kukës -Qafë Mali dhe Kukës- Shishtavec, ndërsa janë marrë masat për eliminimin e shpejtë të pasojave nga punonjësit e ndërmarrjes së rrugëve duke garantuar lëvizjen normale të mjeteve.
Ndërkohë, në zonat rurale trashësia e borës nuk arrin më shumë se 10 centimetra. Po ashtu, në të gjitha akset kryesore rrugore janë dyfishuar kontrollet e policisë me synim eliminimin e aksidenteve si rrjedhojë e rritjes së rrezikut nga lagështia e tepërt.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›