E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti: Mocioni i "turpshëm", protestat me të njëjtin skenar të 14 janarit

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar zyrtarisht se të dielën më 22 janar do të mbajë protestat me të njëjtin skenar sikurse ato më 14 janar.

Protestat që synojnë bllokimin e mallrave serbe dhe që pritet të zhvillohen në Merdare dhe te Dheu i bardhë, dy pika kufitare me Serbinë, vijnë pas mocionit të djeshëm të Kuvendit të Kosovës, i cili bën thirrje për respektimin e marrëveshjeve me Serbinë, të arritura në kuadër të dialogut në Bruksel.

Ky mocion i iniciuar nga grupi parlamentar i PDK-së, rrëzoi atë të Lëvizjes Vetëvendosje, të datës 7 dhjetor, i cili kërkonte respektimin e reciprocitetit ekonomik, politik e tregtar me Serbinë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se me ndërhyrjen e policisë në protestat e 14 janarit iu hap rruga Serbisë ekonomikisht, ndërkaq me mocionin e 20 janarit, iu hap edhe rruga politike.

Ai i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë, ku sqaroi se protesta e 22 janarit synon mbrojtjen e Republikës së Kosovës dhe prodhimin vendor.

Kurti njoftoi edhe për takimin që ka zhvilluar sot me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, të cilin e karakterizoi më shumë si takim informues për zhvillimet aktuale, sesa një thirrje për heqje dorë nga protesta e nesërme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›