E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuta jo politike juristet Presidenti konsensual

Juristët kërkojnë që Kushtetuta të mos ndryshojë sipas axhendës së partive politike. Afrim Krasniqi dhe Kristaq Kume bien dakord në faktin që duhen bërë ndryshime në dokumentin themeltar të shtetit, por ndahen në pikën mbi mënyrën sesi duhen formuluar dhe kryer këto ndryshime. Duke iu referuar zgjedhjes së Presidentit, Afrim Krasniqi thotë se nuk është normale që Avokati i Popullit të zgjidhet me 84 vota nga Parlamenti, ndërsa Presidenti i Republikës të zgjidhet me 71 vota. Ndërsa Kume thekson se ndryshimet e vitit 2008 për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit ende nuk janë bërë efektive.

“Të gjitha vendet e rajonit, të ish-bllokut komunist kanë kaluar në zgjedhjen e presidentit nga populli. S’ka asgjë të keqe kur të gjitha vendet e kanë kaluar këtë dhe nga ana tjetër kur ke kemi bërë hapa pas, sepse përveç kryetarit të bashkisë dhe komunës të gjitha institucionet në Shqipëri ne i zgjedhim indirekt duke i hequr të drejtën qytetarëve të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre”, tha Krasniqi.

“Kushtetuta është ligji themelor i shtetit, por kjo s’do të thotë që është tabu. Kushtetuta referuar mënyrës së zgjedhjes së presidentit të Shqipërisë, u ndryshua jo më parë se 3 vjet, pra, shumë pak për të thënë që çfarë solli ky ndryshim kushtetues, për sa kohë që ky ndryshim nuk është efektiv”, thotë Kume.

Zgjedhja e Presidentit nga populli është një tjetër opsion që ndan dy juristët. Krasniqi thotë se në vendet e rajonit Presidenti zgjidhet nga populli, kurse Kume citon se zgjedhja e kreut të ri të shtetit nuk duhet të prodhojë krizë parlamentare.

“Ajo çka parashikohej në kushtetutën e pandryshuar kërkonte zgjedhjen nëpërmjet konsensusit, gjë që çonte në krizë parlamentare, në zgjedhje të reja”, thekson Kume.

“Janë një sërë ndryshimesh që duhen bërë, jo në atë që quhen axhenda të partive, por në atë që quhen axhenda të vendit. Përshembull, çështja e imunitetit, çështja e rotacionit në gjykatën kushtetuese, ajo e balancës zgjedhore midis ushtrimit të funksionit të parlamentit, qeverisë dhe institucionit të presidentit”, theksoi Krasniqi.

11 muaj larg skadimit të mandatit të Presidentit aktual Bamir Topi, spektri politik është ndarë në dy drejtime. Kryeministri Berisha kundërshtoi ndryshimet Kushtetuese për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, por edhe rrëzoi opsionin e presidentit nga populli. Ndërsa opozita pritet të servirë në muajt në vijim paketën e saj për ndryshimet Kushtetuese, mes të cilave pritet të jetë edhe zgjedhja e presidentit.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›