E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, mazhoranca stërhiqet: Nuk do pranojmë hapje kutish

Debat i ashpër në Komisionin e Ligjeve për draftin e PS

Mazhoranca nuk është tërhequr asnjë milimetër nga qëndrimi i saj për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, madje ka rrëzuar edhe ato qëndrime që janë pranuar nga lideri i PD-së dhe Kryeministri Sali Berisha. Në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dje është zhvilluar debati i ashpër në lidhje me diskutimet në parim të draftit të paraqitur nga opozita për ndryshimin e ligjeve për komisioneve hetimore. Ndërkaq, pritet që të hënën mazhoranca të paraqesë amendamentet e saj, ku do të kërkohet ndryshimi i nenit 4 që hetimi parlamentar të fokusohet në çështje të tjera përveç materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit, kur për to ka vendim gjykate. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që mazhoranca të kërkojë që të merret mendimi i Komisionit të Venecias për çështjen e kutive të votimit. Në mbledhjen e djeshme, ka pasur dy panorama të kundërta, të cilat egërsisht janë përplasur me njëra-tjetrën duke mos u afruar në kompromisin politik të premtuar nga krerët politikë. Deputetët e PD-së dhe të PS-së, anëtarë të Komisionit Parlamentar të çështjeve Ligjore në diskutimet e tyre janë ndarë në një pikë: mazhoranca ka pretenduar që drafti i PS-së është krejtësisht jashtë shtratit kushtetues dhe shkel vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që deputetët e opozita ka deklaruar të kundërtën, nisma e PS-së vetëm se mbështet të drejtën e Parlamentit për të hetuar shkeljet e ligjit zgjedhor dhe nuk kërkon të hyjë në kompetencat e institucioneve të tjera. I pari që ka nisur diskutimin ka qenë deputeti i PD-së, Eduard Halimi, i cili deklaroi se “unë konstatoj se implementimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në këtë draft është zero. është zero, implementimi imperativ i Gjykatës Kushtetuese mbi kufizimin e objektit të hetimit, duke e ndaluar Parlamentin të hetojë në gjithçka dhe mbi gjithçka, duke mos e lejuar Parlamentin që të hyjë në sferën e organeve hetimore e gjyqësore të ngarkuara nga Kushtetuta për veprimtari të këtij lloji. Qëllimi i PS, si nga projektligji dhe nga diskutimi i djeshëm se ata për hir të transparencës duhet të hetojnë gjithçka, dhe mbi gjithçka, pa vendosur kufij, është absolutisht një rrugë e kundërt me vendimin e GJK e cila vendos kufij”. Deputeti demokrat, Eduard Halimi, ka deklaruar se opozita do të duhet të pranojë mendimin e draftit për ta futur atë në shtratin kushtetues. Pas Halimit ka folur deputetja socialiste, Vasilika Hysi, e cila, ka mbrojtur juridikisht nismën e opozitës, duke përmendur të drejtën kushtetuese për informim të qytetarëve si thelbin e kësaj kërkese. Sipas Hysit asnjë vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk kundërshton hapjen e kutive apo marrjen si provë të dokumenteve zyrtare, deputeti i LSI-së, Nasip Naço, ka deklaruar se në parim mbështet projektligjin e PS-së, por kërkon që ai të jetë në zbatim të Kushtetutës. Ndërkohë, deputeti i PS-së, Armando Subashi, ka renditur një mori argumentesh që nisma e socialistëve nuk prek kompetencat e prokurorisë apo gjykatave. Sipas Subashit, s’ka asnjë pengesë kushtetuese për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, por ai shtoi se e vetmja pengesë është vullneti i mazhorancës. Më të ashpër kanë qenë në diskutimet e tyre, deputetët e PD-së, Edi Paloka dhe Enkelejd Alibeajt që kanë bërë të ditur troç se nuk do të hapen kutitë e votimit dhe kanë akuzuar opozitën se e ka të pasinqertë nismën e saj. Por deputetët e PS-së, Shegushe Ligori dhe Ermonela Fela, i janë përgjigjur dhëmb për dhëmb duke cituar ligje të tëra për të mbrojtur idenë e transparencës së zgjedhjeve vetëm për të bërë të ditur shkeljet e mëdha të bëra më 28 qershor dhe jo ndryshimin e rezultatit ndërmjet rinumërimit. Në fund të mbledhjes së djeshme, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, ka bërë të ditur se seanca shtyhet për të hënën kur do të mbyllet diskutimi në parim dhe të martën do të zhvillohet diskutimi nen për nen.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›