E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi votëbeson qeverinë e re “Berisha 2”

16/09/2009  Mblidhet pasditen e sotme seanca parlamentare. Në votim është programi politik

Ministrat e rinj të kabinetit qeveritar “Berisha 2” dhe programi politik qeverisës do të marrin pasditen e sotme votëbesimin e Kuvendit të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit në marrëveshje me Kryeministrin kanë vendosur mbledhjen e Parlamentit në seancë plenare pikërisht më datën 16 shtator. Seanca me këtë rend dite pritej të zhvillohej pasditen e së hënës, pas hapjes rrugë të procedurës nga Presidenti i Republikës, i cili dekretoi emërimin e kabinetit qeveritar.

Seanca

Zyra e shtypit pranë Kuvendit, referuar pritshmërisë publike, njofton se të hënën nuk ishte përcaktuar zhvillimi i seancës parlamentare, rrjedhimisht nuk ka asnjë shtyrje të sajën. Për të konfirmuar respektimin e procedurave nga ana e këtij institucioni, kjo zyrë përmend nenin 110, pika 1 e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ku thuhet se “data e seancës plenare për miratimin e programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, në zbatim të nenit 97 të Kushtetutës, përcaktohet nga Kryetari i Kuvendit në marrëveshje me Kryeministrin”. Pikërisht sot legjislativi do të mblidhet kryesisht për t’u njohur me programin politik të qeverisë së re për katër vjetët e ardhshëm. Programi, i cili është rreth 100 faqe, pasi të prezantohet para deputetëve të Parlamentit, do të shtrohet për diskutim nga sallë, rreth pyetjeve që mund të kenë deputetët prezentë. Seanca e së mërkurës mendohet të zgjasë aq kohë sa duhet për ta prezantuar atë, pasi pjesa e diskutimeve, për shkak të mungesës së deputetëve të opozitës në sallë, mund të mos zhvillohet fare. Po sot parlamentarët do të votojnë edhe përbërjen e re të kabinetit qeveritar.

Votimi

Për votimin e programit qeverisës të mazhorancës në pushet, ashtu dhe për formacionin e ri qeveritar Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit parashikojnë një votim të hapur. Saktësisht kjo thuhet në nenin 58 të Rregullores së Kuvendit, sipas së cilit “votimi bëhet përherë i hapur në rastet e miratimit të programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës për emërim dhe shkarkim ministri, të votimit të Buxhetit të Shtetit ose të projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të”. Votimi i hapur bëhet me ngritjen e dorës ose nëpërmjet mjeteve elektronike. Fillimisht do të votohet përbërja e Këshillit të ri të Ministrave, i cili sipas një vendimi të para disa kohësh të Gjykatës Kushtetuese do të votohet në bllok dhe jo një nga një. Pas votëbesimit të qeverisë Kuvendi do të votojë edhe programin e saj të hartuar këtë javë, menjëherë pas propozimit të tyre nga Kryeministri Berisha. Kabineti i ri qeveritar ka kaluar deri tani hallkën e Presidentit të Republikës, i cili i dekretoi propozimet pesë ditë pas marrjes nga kreu i qeverisë, ndërkohë që sot Kuvendi mendohet ta vulosë këtë çështje. Pas miratimit nga Kuvendi, para fillimit të detyrës së tyre ministrat e rinj do të betohen para Presidentit të Republikës.

Rregullorja e Kuvendit

1. Votimi i hapur bëhet me ngritjen e dorës ose nëpërmjet mjeteve elektronike.

2. Votimi bëhet përherë i hapur në rastet e miratimit të programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës për emërim dhe shkarkim ministri, të votimit të Buxhetit të Shtetit ose të projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të.

Dekretet e Presidentit të Republikës

Topi gradon 5 funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes

Presidenti i Republikës ka firmosur dje pesë dekretime për dhënie grade madhore. Vendimet e tij kreu i shtetit i ka marrë në mbështetje të nenit 92, paragrafi “d” dhe 93 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe me propozim të ministrit të Mbrojtjes. Ai ka dekretuar kolonel Xhemal Gjunkshin, të cilit i jepet grada madhore “Gjeneral brigade”. Po dje Presidenti Topi dekretoi dhënie gradë madhore “Gjeneral brigade” kolonel Dhori Spirollarit; “Kundëradmiral” kapitenit të rangut I Kristaq Gërvenji; “Gjeneral brigade” kolonel Abaz Lleshit; si dhe “Gjeneral brigade” kolonel Sandër Lleshit. Kushtetuta e Shqipërisë përcakton qartë në nenin 92 të saj kompetencat që ushtron Presidenti i Republikës, rreth 12 të tilla, ku mes tyre është edhe kompetenca për dhënien e gradave më të larta ushtarake sipas ligjit. Po ashtu neni 93 i Kushtetutës përcakton se “Presidenti i Republikës në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete”. Dekretet hyjnë në fuqi dhe ky është blloku i dytë i dekretimeve që Presidenti i Republikës ka firmosur brenda këtij muaji pas disa shkarkimeve dhe emërimeve të firmosura në fillim të këtij muaji. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi ditët e para të shtatorit shkarkimin e tre funksionarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Kapiteni i rangut I Kristaq Gërvenji, komandanti i Forcave Detare të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kundëradmiral Kudret Çela, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave të Bashkuara dhe gjeneral brigade Vladimir Qiriazi, komandant i Komandës Mbështetëse janë shkarkuar sot nga detyra me firmën e Topit. Veç shkarkimeve Ministria e Mbrojtjes i ka propozuar presidentit Topi edhe tri emërime në këtë dikaster. Kështu, Topi nuk ka ngurruar të firmosë emërimin Kristaq Gërvenjit në detyrën e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa kundëradmirali Kudret Çela u emërua dje në detyrën e Komandantit të Forcave Detare të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu Topi ka dekretuar po dje emërimin e gjeneral brigade Vladimir Qiriazi në detyrën e zëvendëskomandantit të Komandës së Forcave Bashkuara të Republikës së Shqipërisë. Këto ndryshime janë propozuar nga ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›