E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i OSBE, MEta: U plotesuan standardet. Rama: DOlen shkeljet per te cilat akuzuam

16/09/2009  Kreu i LSI-së komenton raportin si ministër i Jashtëm

“Vlerësimet ndikim pozitiv për liberalizimin e vizave”

Raporti përfundimtar i OSBE–ODHIR-it për zgjedhjet e 28 qershorit është një vlerësim pozitiv, duke ndikuar në të njëjtën formë dhe në rrugën e vendit tonë drejt integrimit në Bashkimin Europian, e sidomos në procesin e liberalizimit të vizave. Në një konstatim të tillë arriti dje kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili, duke folur tashmë në pozitat e ministrit të Jashtëm, u shpreh optimist për mesazhet që këto dy institucione u përcollën shqiptarëve përmes këtij raporti. Ndërkohë, ndalur konkretisht në procesin e liberalizimit të vizave si dhe ndikimin që ka ky raport në këtë proces, Meta vuri në dukje se “ky është një raport që nuk ka asnjë ndryshim në thelbin e vet nga raportet më pozitive të vendeve të tjera të rajonit tonë, që janë dhe në një status më të avancuar me BE-në sesa Shqipëria”. Sipas tij, vlerësimi “progres i prekshëm” është një vlerësim tepër pozitiv. “Për vërejtjet dhe për rekomandimet këto ndodhin në çdo vend të zhvilluar dhe demokratik, sepse kudo ku janë prezentë njerëzit, kudo ka vend për gabime dhe kudo ka vend për të përmirësuar, sepse, në fund të fundit, gabimet janë njerëzore”, - vlerësoi Meta lidhur me këtë çështje. Madje, në gjykimin e tij raporti përfundimtar i OSBE–ODHIR-it për zgjedhjet e 28 qershorit është raporti më pozitiv i bërë deri më sot për zgjedhjet në vendin tonë, duke shënuar në këtë mënyrë mbylljen e kapitullit problematik dhe kontestues të zgjedhjeve në vendin tonë. “Ky është një raport realist dhe shumë konstruktiv, ndaj me këtë rast dua të përshëndes të gjitha organizatat që bashkërenduan për monitorimin e këtyre zgjedhjeve dhe në mënyrë të veçantë përfaqësuesen e këtij Misioni, zonjën Glover dhe jam i bindur se të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet do të përbëjnë bazën e reformës së ardhshme elektorale në vend”, - theksoi Meta. Gjithashtu kreu i LSI-së preferoi të ndalej pikërisht në rëndësinë që ka ky raport për vendin tonë. “Konkluzioni se këto zgjedhje ishin një progres i prekshëm është dhe thelbi i këtij raporti, i cili përfundimisht e largon Shqipërinë nga ai pozicion problematik që ka pasur për zgjedhjet deri tani”, - deklaroi Meta. Kreu i LSI-së lëshoi thirrjen e radhës për forcat politike, duke u kërkuar që “të bashkëpunojnë, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme në vendin tonë të jenë zgjedhje me standarde të larta demokratike, sikurse ndodhin edhe në vendet e tjetra të Bashkimit Europian”. Nga ana tjetër, Meta nuk kurseu akuzat për kryetarin në detyre të PS-së, Edi Rama. “Nuk duhet të harrojmë që të gjithë se si asnjëherë tjetër më parë gjatë këtyre dy dekadave edhe Kodi Zgjedhor, edhe reforma elektorale iu la në dorë kryetarit të Partisë më të madhe në opozitë, pra praktikisht iu la zotit Rama. Dhe për të gjitha ato mangësi dhe vërejtje që vihen re edhe në raportin e publikuar, duhet të kemi parasysh se Partia Socialiste është po aq bashkëpërgjegjëse sa PD-ja. Kështu që nuk ka asnjë arsye serioze për të justifikuar bojkotin përveç problemeve të brendshme”, - u shpreh Meta, duke shigjetuar në këtë mënyrë Ramën. Madje, në gjykimin e tij rihartimi i reformës zgjedhore është një mundësi për Partinë Socialiste që të përmirësojë ato gabime që bëri edhe me Kodin, që kushtëzoi partitë e tjera që të mos ishin pjesë e administrimit të zgjedhjeve. “Për sa i takon depolitizimit të mëtejshëm të këtij procesi, natyrisht që ne jemi krejtësisht të hapur edhe për një proces administrimi zgjedhor që nuk bazohet te përfaqësuesit e partive”, - vlerësoi Meta gjatë fjalës së tij.

Rekomandimet e OSBE–ODHIR-it

- Partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik për realizimin e një procesi zgjedhor sa më demokratik. Ato duhet të kryejë detyrat e tyre zgjedhore në një mënyrë të përgjegjshme për interesin e përgjithshëm të Shqipërisë.

- Kodi elektoral duhet të amendohet, me synimin për të eliminuar ndonjë rast abuzimi dhe bllokimi të procesit nga ana e partive politike. Në veçanti duhet të ketë mekanizma efektivë për të mbushur vendet e lëna bosh në administratën zgjedhore në rastet kur partitë nuk ushtrojnë të drejtat e tyre për të bërë emërimet brenda afateve të vendosura.

- Me synim për të siguruar pavarësinë dhe profesionalizmin e administratës zgjedhore, partitë politike nuk duhet të lejohen të zhvendosin në mënyrë arbitrare anëtarët e komisioneve më të ulëta. Kjo mund të ndodhë vetëm për arsye të veçanta të parashikuara në ligj qartësisht.

- Kur është e nevojshme, KQZ-ja duhet të përdorë më gjerësisht autoritetin e vet sipas Kodit Zgjedhor dhe të jetë më aktiv në zgjidhjen e problemeve specifike në komisionet e niveleve të dyta.

- Të dhënat e Regjistrit Kombëtar të shtetasve duhet të pastrohen; autoritetet dhe partitë politike duhet të bëjnë hapa për të siguruar që të mos ushtrohet presion ndaj nëpunësve të sektorit publik. Raste të tilla presionesh duhet të hetohen dhe përgjegjësit të çohen para drejtësisë.

- Të forcohen mekanizmat për monitorimin e përdorimit të mundshëm të burimeve administrative për qëllime fushate elektorale si dhe përdorimin e aktiviteteve zyrtare për qëllime politike.

PS i gjykoi vlerësimet e OSBE–ODHIR-it në koherencë me qëndrimet e saj

Rama: U mbështet kërkesa për transparencë

“Numërimi shumë i keq i 1/3 së votave nënkupton nevojën për transparencë”

Oli Xhilaga

Qëndrimi i Partisë Socialiste për zgjedhjet e përgjithshme janë në koherencë me vlerësimet e raportit përfundimtar të OSBE–ODHIR-it. Në këtë këndvështrim është vlerësuar një raport i tillë nga kreu në detyrë i PS-së, Edi Rama, i cili gjatë një konference për shtyp nxori në pah çështjet për të cilat ky raport kishte vlerësime negative mbi procesin zgjedhor. Sikundër pritej, forcat parlamentare kanë komentuar në mënyra të ndryshme raportin përfundimtar të OSBE–ODHIR-it për zgjedhjet parlamentare. Kështu, ndryshe nga mazhoranca qeverisëse, partia më e madhe opozitare gjykoi se raporti konfirmoi analizat dhe qëndrimin e PS-së lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas kreut në detyrë të PS-së, Edi Rama, këto zgjedhje ishin të cenuara në thelbin e tyre. “Në të gjithë ecurinë e leximit të raportit shprehet qartësisht ky cenim, duke filluar nga njehsimi i shtetit me pushtetin, te mungesa e transparencës, te pabarazia në garë, tek aksesi i pabarabartë në medie, te përdorimi i errët i fondeve shtetërore, te kërcënimi i administratës dhe shndërrimi i saj në palë në zgjedhje dhe mbi të gjitha te procesi i keq dhe shumë i keq i numërimit të votave”, - vlerësoi Rama lidhur me këtë raport. Njëkohësisht, duke u ndalur në vendimin e PS-së për të bojkotuar institucionin e Kuvendit, Rama nënvizoi se “ripërsëritim, bazuar edhe në raportin përfundimtar të OSBE–ODHIR-it, se qëndrimi ynë i kushtëzuar ndaj Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit është rruga ku kalon transparenca e domosdoshme për gjithçka ka mbetur e errët dhe për gjithçka fshihet nga ato kuti votimi dhe materiale zgjedhore që janë pjesë e konstatimit se në 1/3 e qendrave është numëruar keq dhe shumë keq”. Në gjykimin e kreut socialist, raporti përcakton qartë se nuk janë arritur standardet. Për më tepër, sipas tij PS-ja do të vijojë të kërkojë transparencën pikërisht në atë pjesë të procesit zgjedhor që ka të bëjë me numërimin e keq dhe shumë të keq të 1/3 së votave. “Në një proces zgjedhor që përveç të tjerash ka përfunduar edhe me një rezultat shumë të ngushtë, numërimi i keq dhe shumë i keq i 1/3 së votave nënkupton domosdoshmërisht se minimalisht ka nevojë për transparencë, minimalisht ka nevojë për një evidentim të gjithçkaje që gjendet e mbyllur në errësirën e kutive të dyshuara, të një procesi të cenuar dhe mbi të gjitha duhet që të gjithë ta kuptojnë se shqetësimi ynë ka si prioritet përmirësimin e procesit zgjedhor dhe plotësimin e të gjitha atyre garancive që munguan më 28 qershor për zgjedhjet e ardhshme”, - theksoi Rama lidhur me këtë çështje. Rama shprehu bindjen se nuk mund të ketë zgjedhje të ardhshme të standardeve demokratike evropiane pa bërë transparencën e plotë të procesit pa standarde që u la pas. “Duke kërkuar që të bëjmë transparencë të atij operacioni kriminal të realizuar në bashkëpunim mes autoriteteve shtetërore dhe të liruarve nga burgjet jashtë kushteve të ligjit, ne kërkojmë t’i japim fund një praktike që nuk duhet të ketë të bëjë më me proceset zgjedhore shqiptare”, - theksoi Rama sa i takon kësaj çështjeje.

Deklarata

Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri komentet e tij mbi raportin përfundimtar për zgjedhjet një ditë pas publikimit të tij. Kjo për vetë faktin se ditën që raporti u bë publik, kreu socialist ndodhej në Bruksel për të zhvilluar takime për çështjen e zgjedhjeve. Qëllimi i këtij udhëtimi, sipas burimeve jozyrtare, lidhej me qëndrimin e shprehur prej kohësh të selisë rozë për shkeljet e evidentuara gjatë procesit zgjedhor për zgjedhje parlamentare të 28 qershorit. Po edhe pse ky udhëtim përfaqësonte në vetvete një qëllim kaq madhor, nuk u bë i ditur asnjë takim i zhvilluar prej Ramës në Bruksel.

Raporti i OSBE–ODHIR-it

Islami: S’ka argumente për të shkuar në bojkot

Partia Socialiste është shfaqur e ndarë në vlerësimet e bëra ndaj raportit përfundimtar të OSBE–ODHIR-it për zgjedhjet e 28 qershorit. Kështu, nëse nga kreu në detyrë i kësaj partie Edi Rama ky raport ishte negativ, socialistët që kërkojnë të marrin pjesë në seancat parlamentare thonë se raporti i OSBE–ODHIR-it nuk ka arsye të forta të çojë në bojkot të Kuvendit. Konkretisht ishte njëri prej deputetëve të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste Kastriot Islami, i cili vuri në dukje se OSBE-ja rrëzoi akuzat për manipulim të zgjedhjeve. “Mesazhi i parë është se në Shqipëri standardet nuk janë arritur. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe në procesin e kthimit në një vend kandidat të BE-së dhe besoj se kjo do të përcaktojë të gjithë axhendën e bashkëveprimit me KE-në dhe me BE-në për të garantuar në zgjedhjet e ardhshme zgjedhje tërësisht të lira. Mesazhi i dytë është për të gjithë forcat politike, po në mënyrë të veçantë për opozitën. Në këtë raport nuk ka bazë dhe argumente të mjaftueshëm që të justifikonim të gjitha qëndrimet që kanë çuar PS-në në bojkot”, - theksoi Islami sa i takon një çështjeje të tillë, duke vijuar në këtë mënyrë qëndrimin kundër bojkotit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›