E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin procedurat për kompensimin e 24 familjeve

16/09/2009  Superstrada Shkodër- Hani i Hotit

SHKODER- Bashkia e Shkodrës ka afishuar listat paraprake të familjeve që do të shpronësohen dhe kompensohen për shkak të ndërtimit të rrugës së re nacionale Shkodër-Hani i Hotit. Kjo listë përfshin 24 familje, prona e të cilave ndodhet në zonën ku do të ndërtohet kjo superstradë. Me anë të kësaj liste Bashkia e Shkodrës synon që t’u paraprijë problemeve që mund të krijohen nga shpronësimet në pjesën e superstradës që kalon në territorin administrativ të kësaj njësie vendore, ndërkohë që pjesa më e madhe e rrugës shtrihet në rrethin Malësi e Madhe. Lista është përpiluar në mënyrë të tillë që krahas emrave të paraqiten dhe sipërfaqet e shpronësuara për çdo familje me gjithë shumën e parave që përfitojnë. Afishimi i këtyre listave nuk ka thjesht synim për të treguar se pushteti vendor e ka kryer punën e tij për informimin e qytetarëve, por edhe që të shmangen pakënaqësitë në të ardhmen, kur rruga të ketë filluar. Çdo qytetar, trualli i të cilit preket nga superstrada e shumëpërfolur Shkodër-Hani i Hotit, tashmë e ka të qartë se sa është parashikuar shpronësimi i tij në sipërfaqe, si dhe kompensimi në vlerë monetare. Duke qenë se listat janë paraprake, qytetarët kanë kohë që të reklamojnë të gjitha pakënaqësitë dhe kundërshtitë e tyre ligjore, në mënyrë që me fillimin e superstradës, çdo keqkuptim të jetë zgjidhur. Nga ana tjetër Bashkia e Shkodrës u bën thirrje qytetarëve që kanë emrin në listat e shpronësimit për shkak të ndërtimit të rrugës, që të kryejnë plotësimin e të gjithë dosjes së pronësisë, për të mos pasur më pas probleme në kompensim. Kjo dosje do të dërgohet për shqyrtim pranë Drejtorisë së përgjithshme të Rrugëve, në sektorin e shpronësimeve të Ministrisë së Transporteve. Qytetarët e interesuar duhet të kenë në dosje certifikatë pronësie të tre muajve të fundit, planin rregullues ku preket prona përkatëse. Njëkohësisht Bashkia e Shkodrës merr përsipër të dërgojnë në Tiranë dhe dosjen me reklamimet e pakënaqësive të qytetarëve që do të shpronësohen. Burimet nga Bashkia e Shkodrës shprehen se lista paraprake do të pasohet dhe me emra të tjerë, të cilëve është duke iu verifikuar pronësia, në zonën prej 6,5 kilometrash ku kalon rruga dhe që është pjesë e qytetit. Në listën e parë përfshihen familjet që kanë pronën në territorin nga lagjja “Rus” deri në fund të qytetit të Shkodrës, ku fillon dhe territori i komunës Rrethina. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›