E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi seancë për përmbytjet. PS nuk merr pjesë

TIRANE-Socialistët vendosën dje të mos marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Shqipërisë rreth përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë që do të mbahet sot mbasdite. Kreu i PS Edi Rama tha se opozita do të vazhdojë të jetë në protesta në sheshe me një arësye më shumë për largimin e qeverisë e cila sipas tij është përgjegjëse edhe e përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë. Deputetët e opozitës nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit që nga shtatori i vitit që shkoi, prej fillimit të legjislaturës së re, duke kërkuar hapjen e kutive të votimit të 28 qershoritt me pretendimin se brenda tyre ka një rezultat tjetër nga ai i shpallur. Por dje në mbledhjen e Asamblesë Socialiste u dëgjuan sërish zërat që kundërshtojnë rrugën e bojkotit të Kuvendit nga opozita. Deputeti i Korçës Ben Blushi, ashtu si më parë deputeti i Kuçovës Marko Bello dhe ai i Mallakastrës Kastriot Islami, tha se në fillim të marsit do të hyjë në Kuvend duke i bërë thirrje deputetëve të tjerë të bënin të njëjtën gjë. Blushi e quajti të gabuar bojkotin e e deritanishëm të opozitës. Po kështu dhe Arben Malaj theksoi për Gazeta Shqiptare se 7 Marsi do ta gjejë në Kuvend. Ndërkaq Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha se opozita po manipulon politikisht situatën e fatkeqësisë së përmbytjeve çka, ajo e quan, fund të moralit politik të saj. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›