E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe: Te Shqipëria kam krijuar klimë të mirë

TIRANE-Trajneri kombëtares shqiptare Josip Kuzhe ka deklaruar se është një lloj trajneri që kudo ku shkon, krijon një atmosferë të mirë, dhe kjo, sipas tij, mund të ndikojë që Shqipëria të arrijë rezultate të mira në eliminatoret e Europianit 2012. Në një intervistë dhënë dje për "Nogometni Magazin", kroati që drejton përfaqësuesen kuqezi ka treguar disa nga të veçantat e punës së tij gjatë kësaj periudhe. Kuzhe është shprehur se po e përgatit ekipin gjatë gjithë edicionit kualifikues, të karakterizohet nga loja e fortë. "Në Shqipëri, aktualisht ekziston një klimë madhështore e futbollit, - ka deklaruar Kuzhe. - Unë jam trajner që sjell gjithnjë një atmosferë të mirë. Madje, shpresoj që që kjo klimë të tregojë një Shqipëri serioze gjatë eliminatoreve, edhe pse nuk jemi të detyruar të zëmë vendin e parë apo të dytë në grup", është shprehur më tej kroati për "Nogometni Magazin". Kuzhe ndërkohë ka treguar edhe disa nga synimet e tij në krye të kombëtares kuqezi. "Unë vetes i kam thënë 'nëse mendon se je trajner i mirë, bëj diçka'. Po përgatis një lojë të fortë. Unë nuk kënaqem vetëm me atmosferë të mirë dhe me marrëdhënie të mira me lojtarët, garanci e rezultatit është vetëm loja e fortë", është shprehur më tej tekniku kuqezi. Gazeta kroate i ka thurur lavde trajnerit Kuzhe, duke thënë se ai fitoi besimin e Federatës Shqiptare në konkurrencë me 64 trajnerë të tjerë. Ajo shton se Kuzhesë fillimisht i është ofruar një kontratë njëvjeçare, por sipas gazetës pas vetëm dy muajve punë, ai ka bindur krerët e FSHF-së që t'i besojnë timonin e Kombëtares deri në përfundim të kualifikimeve për Euro 2012.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›