E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Vendi ka nevojë për bashkëpunim konstruktiv

Në një konferencë për shtyp, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi sot se forca që përfaqëson i ka përcjellë me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet më të fundit politike në vend si dhe mënyrën e zhvillimit të debatit politik.

“LSI vlerëson se korrupsioni duhet goditur pa asnjë kompromis, por ai nuk mund të luftohet me fletërrufe televizive, por në mbështetje të institucioneve legjitime të vendit”, tha Vasili ndërsa shtoi se “forcat politike duhe të tregojnë përgjegjeshmëri dhe përmbajtje europiane politike në formën dhe në përmbajtjen e debatit politik për të mos dëmtuar imazhin e vendit, në kulmin e procesve integeruse thjesht dhe vetëm për interesa të ngushta politike dhe personale”.

Duke nënvizuar se sot vendi ka nevojë më shumë se kurrë për bashkëpunim konstruktiv dhe energji pozitive, Vasili theksoi: “LSI e cilëson detyrim për të gjitha forcat politike në vend, nisjen e punës për reformën zgjedhore”. “çdo forcë politike, për çfarëdo lloj shkaku që i shmanget përmbushjes së këtij detyrimi, nuk bën gjë tjetër veçse ngarkon veten me përgjegjësi mjaft të rënda për zhvillimin e ardhshëm demokratik të vendit”, nënvizoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›