Rama: Jemi në dispozicion të një kompromisi të arsyeshëm që zgjidh krizën
Lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, ka deklaruar dje pas takimit të Internacionales, se PS-ja po pret reagimin e qeverisë për zgjidhjen sa më shpejt të krizës politike. “Ne jemi në dispozicion të zgjidhjes. E kemi thënë dhe e përsëritëm, se për ne ka një kompromis të arsyeshëm, që i hap rrugën transparencës dhe garanton mbarëvajtjen e punës së Parlamentit. Duke krijuar të gjitha kushtet që të shkohet përpara me reformat për të cilat ka nevojë vendi, por të cilat pa procesin e transparencës janë thjeshtë një teatër që nuk i duhet askujt. Ne në asnjë mënyrë jo”, deklaroi Rama. Kreu i selisë rozë, i cili është një nga drejtuesit e Komitetit të Internacionales Socialiste për Europën Juglindore, theksoi se seanca e parë e takimit të djeshëm u fokusua te kriza politike dhe institucionale në Shqipëri, gjatë së cilës të gjithë pjesëmarrësit, personalitete të nderuara e të respektuara të Internacionales Socialiste dhe të së majtës socialiste dhe progresiste në rajon, dhanë opinionet e tyre të vyera. Rama, duke theksuar pozicionin e grupimit politik që kryeson, deklaroi se “ne në emër të Partisë Socialiste të Shqipërisë e nënvizuam domosdoshmërinë që kriza të kapërcehet si krizë politike dhe politika të fokusohet në krizën tërësore të vendit, që ka të bëjë me garancitë që i lypsen demokracisë, reformat që i duhen shtetit të së drejtës dhe ndërhyrjet e domosdoshme për të cilat ka nevojë ekonomia”. Lideri i opozitës shqiptare, në fjalën që ka mbajtur gjatë mbledhjes së IS, theksoi se “Partia Socialiste ka qenë vijimësisht këmbëngulëse për ta ndarë fatin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve nga tërësia e problematikës së integrimit dhe problemet aspak të lehta të funksionimit të demokracisë në Shqipëri. Ashtu si edhe për Bosnjën, ne e kemi konsideruar të padrejtë e të paarsyeshme lënien e Shqipërisë jashtë procedurës së liberalizimit të vizave, që u realizua vjet për Serbinë, Malin e Zi e Maqedoninë, pavarësisht mangësive objektive që vendi ynë kishte në drejtim të përmbushjes së kritereve teknike. Sepse ne kemi qenë e jemi të bindur që për rajonin tonë është dashur e vazhdon të lypset një qasje tjetër, e cila merr në konsideratë prapambetjen e konsiderueshme në ndërtimin e shteteve moderne për shkaqe së pari historike të Ballkanit Perëndimor, për të cilat ne besojmë se kurrsesi nuk duhet të vazhdojnë të paguajnë fëmijët dhe më të rinjtë e këtij rajoni të trazuar”.
#