LSI:Jo penalizim për interesat e ngushta partiake
ELBASAN- Kreu i LSI-së, Ilir Meta ka ftuar politikën të fitojë kohën e humbur padrejtësisht dhe të shohë nga integrimi, si qëllim kombëtar.
Në mes të të rinjve të Elbasanit, i pranishëm në konferencën e LRI-së, Meta ka theksuar se politikanët duhet të sillen me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive, sepse vendi ka nevojë për vendime të rëndësishme.
Në këto momente Shqipëria nuk duhet të penalizohet më tej për shkak të interesave të ngushta partiake të cilitdo. Ndaj LSI do të vazhdojë të përqendrojë të gjithë energjitë e saj në prioritetin madhor të përshpejtimit të integrimit europian të vendit sepse kjo është një aspiratë e të gjithë shqiptarëve, në radhë të parë aspirata e brezit të ri, e gjeneratave të ardhshme- tha Meta.
Sipas tij, integrimi nuk është thjesht një qëllim në vetvete, por e vetmja rrugë, e vetmja mënyrë për të përshpejtuar reformat, për të zhvilluar shoqërinë tonë në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë të jenë qytetarë të barabarta me të gjithë ata të Europës.