E Diel, 1 Nëntor 2026

Lajcak ne presidence. Te rivendoset dialogu mes partive. Zgjedhjet sipas standarteve

Presidenti i Republikës Bamir Topi priti sot të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në vendin tonë Drejtorin Ekzekutiv të Shërbimit të Jashtëm, zotin Miroslav Lajçak. Ata biseduan për situatën politike të krijuar së fundmi në vendin tonë duke nënvizuar nevojën dhe rëndësinë e gjetjes sa më të shpejtë të dialogut konstruktiv institucional mes forcave politike dhe zhvillimin e zgjedhjeve administrative të drejta, demokratike e korrekte.

Kreu i shtetit shqiptar  u shpreh se zgjedhjet e 8 Majit janë të  rëndësishme jo vetëm për të ripërtërirë drejtuesit e pushtetit vendor, por dhe për të treguar aftësinë dhe pjekurinë e partive politike dhe të votuesve shqiptarë në realizimin e zgjedhjeve në përputhje me standardet e duhura demokratike.

Nga ana e tij Lajçak nënvizoi domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku e të realizojnë me sukses zgjedhjet vendore të lira, të drejta e demokratike. Ai theksoi gjithashtu se “respektimi i institucioneve të shtetit, i zgjedhjeve dhe pranimi i rezultateve është shprehje e demokracisë dhe e ekuilibrit, me një rëndësi të jashtëzakonshme për demokracinë aktuale dhe të ardhmen europiane të vendit dhe mbarë popullit shqiptar”.

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Drejtori Ekzekutiv i Shërbimit të Jashtëm do të takohet gjatë ditës edhe me kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës, Edi Rama. Lajçak pritet të zhvillojë një takim edhe me kryetarin e KQZ-së, Arben Ristani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›