E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Dhëmbët e Ramës nuk kafshojnë demokracinë

Partia Demokratike i kërkoi kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, të lërë bojkotin dhe të mos kërcënojë mazhorancën me thirrje për destabilizimin e vendit dhe marrjen e pushtetit me dhunë. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, i kujtoi Ramës se projektrezoluta e Këshillit të Europës i kërkon në mënyrën më të prerë opozitës të hyjë në Parlament dhe qeverisë të krijojë Komision Hetimor Parlamentar. “Kjo projektrezolutë po përdoret nga Edvin Kristaq Rama dhe pinjollët e bllokut si një argument për doktrinën e tyre të revolucionit permanent të mosnjohjes së Kushtetutës, Parlamentit dhe institucioneve të vendit”, theksoi Mëhilli. Sipas saj, Rama duhet t’i ndërpresë thirrjet për revolucione dhe marrjen e institucioneve me dhunë, sepse mazhoranca nuk mund t’i tolerojë këto qëndrime. Më i ashpër në qëndrimin e tij ishte deputeti i PD-së, Edi Paloka. Sipas tij, Rama nuk mundet në asnjë mënyrë të shkatërroj demokracinë shqiptare. “Ai duhet ta dijë që as forca as trimëria nuk vijnë nga dhëmbët, sepse ashtu gjithë lepujt me dhëmbë luani do të ktheheshin në mbretër. Dhëmbët e Ramës sado të rinj që të jenë nuk mund të kafshojnë demokracinë shqiptare”, deklaroi Paloka, duke i bërë thirrje Ramës të ulet në tryezë për bisedime.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›