E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohet Vulf protesta gjate ceremonise se lamtumires

Ish-Presidenti gjerman Christian Vulff, i cili dha dorëheqjen muajin e kaluar, pas një skandali politik, la postin përmes ceremonisë zyrtare e në të njëjtën kohë është bërë serish qendër për polemika. Ceremonia u kritikua mjaft këtë herë pasi rëndom po kryhet për një president, i cili u largua si pasojë e skandalit. Në paradë nuk morën pjesë 4 ish-krerë të shtetit, ndërsa qindra protestues u mblodhën në Berlin me vuvuzela në përpjekje për të mbytur trompat dhe interpretimin e himneve që shoqërojnë ceremoninë e lamtumirës. Gati tre javë pasi dha dorëheqjen, Vulff vazhdon të pushtojë faqet e para të mediave gjermane pas pranimit të një pensioni vjetor prej 199 mijë eurosh për pjesën tjetër të jetës së tij, pavarësisht se shërbeu vetëm 20 muaj në detyrë. Vulff dha dorëheqjen, pasi prokurorët e akuzuan se kishte pranuar privilegje në lidhje më një kredi bankare dhe i kërkuan parlamentit të heqë imunitetin e tij. Lëvizja u cilësua si një goditje për Kancelaren Angela Merkel, që e kishte përzgjedhur për postin kryesisht ceremonial në vitin 2010. Qeveria e Merkelit ka qenë e detyruar të mbrojë këtë ceremoni tradicionale. Pjesë e kritikave është bërë dhe kërkesa e Vulff për interpretimin e katër pjesëve muzikore në vend të vetëm 3 pjesë siç bëhet tradicionalisht. Më vonë gjatë këtij muaji pritet dhe votimi për Joachim Gauk, i cili do të jetë dhe pasardhësi i Vulf.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›