Lavdërim Tufa, avokati do kërkojë lirimin e tij
Prokuroria e Krimeve të Rënda bën rekurs për vendimin e disa ditëve më parë të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, lidhur me dërgimin për kompetencë gjykimi për Lavdërim Tufën në Gjykatën e Tiranës. Organi i akuzës nuk ka qenë aspak dakord me këtë vendim, ndërkohë që do sjellë argumentet përkatëse pse kjo dosje duhet gjykuar te Krimet e Rënda. Por, në të njëjtën kohë, nga ana e mbrojtjes bëhen të ditura veprimet që do ndërmerren sapo Gjykata e Lartë të vendosë cila do jetë gjykata kompetente që do gjykojë sërish akuzat ndaj klientit të tij. Sipas avokatit Basri Mane, menjëherë ai do kërkojë lirimin e Lavdërim Tufës, pasi i kanë kaluar afatet e paraburgimit dhe nuk mund të mbahet më në qelitë e burgut. Por, kjo kërkesë do të përpilohet sapo të caktohet se cila do të jetë gjykata që do jetë kompetente për rigjykimin e çështjes, pasi për momentin nuk kanë kujt t’ia adresojnë. Lavdërim Tufa, i arrestuar për vrasjen e bujshme në Lundër, pak kilometra larg kryeqytetit, ku mbeti i vrarë Fatmir Rama apo Miri i Xhikes, Julian Durishti dhe Kristaq Cami, pas katër viteve i dënuar me “burgim të përjetshëm”, do rikthehet sërish për rigjykim. Shkak, sipas arsyetimit të vendimit të trupës gjyqësore për dhënien e këtij vendimi, kanë qenë shkelje të shumta procedurale, mes të cilave më kryesorja, moskompetenca. Sipas kësaj trupe gjykuese, i pandehuri Tufa nuk duhet të ishte gjykuar nga Krimet e Rënda, por nga gjykata e kryeqytetit. Por, pas rekursit të këtij vendimi, pritet që Gjykata e Lartë të lërë në fuqi apo të vendosë ndryshe për këtë çështje. Nëse çështja shkon sërish për rigjykim në gjykatë, pritet të nisë një debat i ashpër për një qime floku në maskën e gjetur në vendngjarje, ajo që dënoi me burgim përjetë Tufën, si një nga autorët e krimit të trefishtë. Në të njëjtën kohë pritet që ky gjyq të jetë sërish i stërgjatur, me paraqitje provash, dëshmish dhe ADN-në e kontestuar prej mbrojtjes për qimen e flokut. Vrasja e Fatmir Ramës (Mirit të Xhikes) ndodhi më 29 mars 2002, gjatë një ndeshjeje futbolli në kohën që ai ndodhej tek “Kartodromi 2000”, pronë e tij, së bashku me shokët e tij, duke ndjekur një ndeshje futbolli. Nga ana e policisë, por edhe e prokurorit të çështjes, u fol për dy ekzekutorë, ndërkohë që njëri prej tyre mbeti edhe sot i pazbuluar, ndërsa personi i dytë i akuzuar, Lavdërim Tufa. Por, përgjatë procesit hetimor e gjyqësor, por edhe shpalljes së vendimit, Tufa dhe familjarët e tij kanë pretenduar pafajësinë.