Vizita; Carbone i premton znj. Becaj ndihmë për anëtarësim në rrjetin e gjykatave të kasacionit në Evropë
Me ftesë të kryetares së Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, znj. Shpresa Becaj, mbërriti për një vizitë zyrtare në Tiranë kryetari i Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Italisë, z. Vincenzo Carbone, i shoqëruar dhe nga z. Secondo Libero Carmenini, sekretar i Përgjithshëm i Gjykatës së Kasacionit, si dhe z. Francesco Tirelli, zv.sekretar i Përgjithshëm. Për Gjykatën e Lartë të Shqipërisë kjo është një vizitë shumë e rëndësishme, pasi për herë të parë gjykata vizitohet nga kryetari i Kasacionit të vendit fqinj, Italisë. Fillimisht z. Carbone është pritur nga të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët i kanë shprehur atij konsideratat më të larta dhe e kanë falënderuar për këtë vizitë të rëndësishme dhe historike për gjyqësorin shqiptar. Nga ana e tij, z. Carbone, i cili ka vlerësuar ftesën e bërë nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, znj. Becaj, e ka ftuar atë për një vizitë zyrtare disaditore në Romë, me qëllim institucionalizimin e bashkëpunimit të nisur tashmë, mes dy gjykatave. Sipas z. Carbone, Gjykata e Kasacionit të Italisë prej disa vitesh është pjesë e Unionit të Gjykatave të Larta të Evropës Perëndimore. Z. Carbone vuri në dukje se po punohet që edhe Shqipëria me Gjykatën e saj të Lartë të përfitojë nga përvoja e ndihmesa italiane, në mënyrë që të anëtarësohet së shpejti në rrjetin evropian të gjykatave të kasacionit, në mënyrë që të thellohet akoma më shumë kjo marrëdhënie, jo vetëm me Italinë, por me të gjitha gjykatat e tjera të Evropës. “Është nder për ne, - është shprehur më pas znj. Becaj, - që të bëhemi pjesë e këtij unioni, pasi Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, por jo vetëm, është udhëhequr gjithmonë nga shembulli i sistemit të konsoliduar të gjyqësorit italian”. Sipas znj. Becaj, por dhe z. Carbone, të dyja vendet ndajnë të njëjtat shqetësime në lidhje me rregullat juridike, etike dhe morale, të cilat duhet të vendosen dhe të zbatohen më së miri nga të gjithë anëtarët e gjyqësorit në të dyja vendet, pasi edhe nëse në vende të ndryshme këto rregulla mund të jenë të ndryshme, sërish ato rregullojnë marrëdhënie të njëjta mes shoqërisë. Gjithashtu, zoti Carbone është takuar edhe me Prokuroren e Përgjithshme, znj. Ina Rama. Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e njohjes së praktikës dhe jurisprudencës së Gjykatës së Kasacionit të Italisë, veçanërisht për çështje në të cilat janë përfshirë shtetas shqiptarë. U vlerësua e rëndësishme njohja e kësaj jurisprudence, me qëllim ngritjen e standardit të procesit penal në Republikën e Shqipërisë dhe përqasja me standardet evropiane dhe ato të vendosura nga jurisprudenca e Strasburgut. Po dje, në orët e pasdites, z. Carbone pati një takim me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, z. Vladimir Kristo.