E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani: Ndryshimet statutore nuk kanë asnjë vlerë

Intervista Flet ish-kreu i Komisionit të Ligjeve: Nuk është zbatuar statuti aktual

Ylli Manjani, ish-kryetari i Komisionit për çështjet Ligjore në PS, i cili dha dorëheqjen disa kohë më parë, gjatë një interviste për “Shqip” i quan të pavlera ndryshimet staturore që pritet të bëhen sot në Kongresin e jashtëzakonshëm. Sipas tij, lidershipi i selisë rozë nuk ka zbatuar statutin aktual dhe institucionet që burojnë prej tij...

Si i vlerësoni ndryshimet statutore të propozuara në Asamblenë e fundit të PS-së?

Nuk kam ndërmend t’i rris vlerën e munguar atyre ndryshimeve të statutit të PSSH-së, duke bërë komente mbi to. Nuk kam ndërmend ta bëj këtë gjë, sepse Edi Rama dhe Gramoz Ruçi vendosën të përjashtojnë Komisionin e Ligjeve të Asamblesë Kombëtare nga diskutimi për këto ndryshime. Aty ishte vendi për të komentuar dhe kontribuuar, prandaj nuk ka kuptim të komentoj një tjetër vend. Ato ndryshime kaluan në Asamble dhe po i paraqiten Kongresit si vullnet personal i Edi Ramës dhe jo si vullnet i përbashkët i institucioneve statutore të partisë. Duke bërë këtë analizë të thjeshtë, unë hapa rrugë duke dhënë dorëheqje nga drejtimi i Komisionit të Ligjeve të Asamblesë, jo për t’u larguar nga përgjegjësia, por për të shpëtuar vetë komisionin. Nga ana tjetër, nuk mund të mos them se ngjarja e ndryshimit të statutit politikisht është shumë e diskutueshme. Këto ndryshime propozohen në një realitet kur statuti aktual, i hartuar nga vetë Rama gati 4 vite më parë, nuk u zbatua për asnjë çast të vetëm. Forumi i Gruas, Forumi i Rinisë, Kryesia e Partisë, Asambleja, Kongresi, Komisioni i Garancive Statutore, institucioni i kryetarit të partisë, parimi ‘një anëtar, një votë’ në zgjedhjet e kryetarëve të partisë në njësitë vendore, nuk funksionojnë sipas kërkesave të statutit të partisë. Ky mosfunksionim vjen ekskluzivisht për shkak të filozofisë dhe mendësisë politike të Edi Ramës për të injoruar çdo rregull, parim e institucion. Ky është realiteti statutor i partisë sot. Në këto kushte, pra kur rregullat dhe institucionet nuk kanë më vlerë çfarë kuptimi kanë ndryshimet në statut? Propozimi i ndryshimeve në statutin e partisë bëhet edhe në një kontekst tjetër akoma më të rrezikshëm sesa moszbatimi i statutit nga Edi Rama. Ndryshimet prezantohen si të nevojshme për të forcuar disiplinën në parti. Madje Fatmir Xhafaj, gjatë një bisede në “Top Channel”, shkoi edhe më tej kur tha pak a shumë se "në PS ka shumë liberalizëm, prandaj duhet forcuar disiplina". Kjo tezë është qartësisht një kthim mbrapa në kohën e Enver Hoxhës, i cili e paraqiste atë (tezën) sa herë prisheshim me ndonjë parti aleate komuniste.

Ka disa reagime nga figura të larta të PS-së, të cilat thonë se në parti nuk ka hapësira për mendimin ndryshe. Sa është e vërtetë kjo tezë?

Nëse vazhdojmë logjikën që parashtrova pak më parë, besoj se është e qartë se përse nuk i duhet mendimi ndryshe Edi Ramës dhe oligarkisë që ai përfaqëson. (Në fakt më dhimbset shumë fjala “oligarki”, sepse oligarkët janë fisnikë dhe qytetarë, kurse këta që janë te Rama janë thjesht ca zengjinë të pasuruar në politikën e KRT-së, por nuk ka fjalë tjetër për të dhënë kuptimin). Mendimi ndryshe është liberalizëm. Ndërkohë, oligarkia është kundër. është kaq e thjeshtë kjo punë. Personalisht nuk më shqetëson shumë diskutimi mbi lejimin ose jo i mendimit ndryshe, sepse PS-ja e sotme vërtet nuk është më liberale, por liberalizimi ekziston pavarësisht PS-së. Kështu që qenia ose jo në PS nuk më ka ndaluar e as më ndalon të mendoj dhe të shprehem mbi ato që mendoj. Nga kjo pikëpamje, është partia ajo që humbet ose fiton respektivisht, duke ftuar ose përzënë nga radhët e saj njerëz që mendojnë. Në çdo rast PS-ja që kishim e kemi në kokë kur flasim për të nuk ekziston më. Problemi tjetër është vështirësia në rifreskimin e radhëve. PS-ja sot bazohet në grupe sociale tradicionale. Për arsye natyrore, por edhe politike, rrudhosja e anëtarësisë së partisë ka filluar. Nga ana tjetër, PS-ja ka humbur edhe pozitën e ofertës më të mirë në tregun politik për të rinjtë. Zgjidhja që sugjeron Rama është shndërrimi i partisë në frymë elektorale dhe jo në strukturë të qëndrueshme, e ka përkeqësuar këtë gjendje. është e vërtetë që partia duhet të jetë elektorale, por jo duke shkatërruar institucionet dhe anëtarësinë e saj. Zgjedhjet e fundit në fakt na e dhanë këtë mesazh. Ne nuk u votuam për të qeverisur, sepse u perceptuam si shkatërrimtarë të partisë dhe të së majtës. Pra nuk u bë dot partia elektorale kur më parë nuk është institucionale. Ky është fakti që meriton vëmendje.

Ju dhatë dorëheqjen nga posti që mbanit në PS. Cili do të jetë roli juaj tashmë në radhët e partisë?

Dhashë dorëheqjen, sepse PS-ja nuk është më partia e ligjeve dhe e të drejtës. Kultura dhe realiteti i sundimit të së drejtës që përçoi PS-ja, ishte ofertë për mua si profesionist i ligjit që të isha në përbërjen e saj. Kjo ofertë sot ka rënë në mënyrë zhgënjyese. Në këto kushte unë vendosa të mos jem më as kryetari i Komisionit të Ligjeve e as thjesht "juristi" i një partie të tillë, me të cilën sot ndahem për shkak të parimeve profesionale. Por mbetem ende formalisht anëtar i saj, në respekt të bindjeve të mia. E bëra publike këtë vendim timin për t’u thënë të gjithë atyre që ende e shohin PS-në siç e pashë unë dikur, që të mendohen.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›