E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksionet e Chernobylit për Fukushimën

Ushqimi i kontaminuar, evakuimi i shpejtë i banorëve-një vit pas katastrofës në Fukushimë, është e qartë se autoritetet japoneze iu shmangën shumë gabimeve, të bëra nga autoritetet sovjetike pas katastrofës në Chernobyl, edhe pse nuk mund të thuhet se i kanë shmangur të gjitha gabimet.

Një vit pas shkrirjes në reaktorin në Fukushimë, ekspertët për siguri bërthamore nga Ukraina janë të zënë, pasi që po këshillojnë kolegët e tyre japonezë se si duhet të përballen me pasojat afatgjate të aksidentit të dytë më të rëndë bërthamor në botë.

“Rrjedhja tek ne përfundoi para 20 viteve, por në Fukushima radioaktiviteti ende është duke u përhapur”, thotë Viktor Krasnov, nga Instituti për Stacioni për Siguri të Energjisë Bërthamore në Chernobyl, i cili sa po është kthyer nga një vizitë në Fukushima.

“Katastrofa e tyre ende është duke vazhduar. Zona e ndaluar prej 40 kilometra në Chernobyl do të mbetet e rrezikshme për 1 mijë vjet. E njëjta gjë mund të ndodhë në Japoni, nëse nuk e pastrojnë ndotjen radioaktive në sipërfaqe para pranverës. Kjo ishte këshilla që ju dhamë: ngutuni”, shtoi Krasnov.

Për fat të mirë për japonezët, pasojat e katastrofës në Fukushima ndaj natyrës kanë qenë shumë më pak shkatërrimtare, se sa që ishin ato të katastrofës në Chernobyl.

“Na janë dashur dy vjet, për të vlerësuar përmasat e dëmit pas shpërthimit në Chernobyl”, thote Natalia Manzurova, inxhiniere, e cila mori pjesë në pastrimin e terrenit pas katastrofës së Chernobylit.

“Tek ne, bërthama e reaktorit ka qenë për katër ditë e ekspozuar në tërësi. Toka në rreth 30 kilometra përreth u kontaminua. Në Fukushima, rreziku kryesor ekziston për gjallesat e detit, pasi që uji i detit është shfrytëzuar për të ftohur bërthamën”, shton ajo. Dhe për dallim nga Chernobyli, ku 157 persona vdiqën si pasojë e radioaktivitetit dhe me mijëra të tjerë vazhdojnë të lëngojnë nga kanceri, në Japoni askush nuk ka vdekur si rezultat i drejtpërdrejtë i katastrofës në Fukushima.

Pjesërisht, japonezët për këtë duhet t’i falënderohen leksioneve të mësuara nga Chernobyli. Nuk janë përmasat e një aksidenti bërthamor ato, të cilat e shndërrojnë atë në një katastrofë humanitare, por reagimi pas katastrofës. Si Chernobyli, ashtu edhe Fukushima, u cilësuan si “ngjarje të nivelit 7” nga ana e Agjencisë për Energji Bërthamore. Por Japonia ishte më e suksesshme se Bashkimi Sovjetik, në reagimin e vet për të parandaluar që me qindra njerëz të vdesin si pasojë e katastrofës.

Autoritetet japoneze reaguan me shpejtësi dhe në mënyrë efektive për të komunikuar me banorët lokalë, thotë inxhinieri bërthamor, Ilgiz Ishkatov.

“Ata nuk trajtuan banorët si idiotë, siç vepruan atëbotë autoritetet tona”, shtoi Ishkatov.

Banorët e Fukushimës jo vetëm që u evakuuan me shpejtësi, por u furnizuan edhe me ilaçe, për të parandaluar absorbimin e radioaktivitetit nga atmosfera.

“Chernobyli vërtetë ishte një rrëfim krejt tjetër, pjesërisht për shkak të vendimit të tmerrshëm të marrë nga Bashkimi Sovjetik, për të mbajtur katastrofën të fshehtë dhe për shkak të keq-menaxhimit të krizës”, thotë Matthew Bunn, profesor në Qendrën Belfer të Harvardit për Shkencë dhe Çështje Ndërkombëtare.

“Ata nuk evakuuan popullatën me kohë. Ata mohuan që aksidenti kishte ndodhur dhe se ka rrjedhur radioaktivitet. Dhe nuk ju kanë thënë fëmijëve që mos të pinë ujin dhe të mos e konsumojnë ushqimin e kontaminuar”, shton Bunn.

Popullata lokale ende është duke e paguar çmimin për këtë fshehtësi: vlerësohet se rreth 6 mijë raste të kancerit të tiroideve te fëmijët janë si rezultat i radioaktivitetit, i cili ka depërtuar në ushqim.

Në anën tjetër, po aq sa i shpejtë reagimi i autoriteteve japoneze pas katastrofës, megjithatë disa leksione tjera nga katastrofa në Chernobyl nuk janë mësuar.

“Në rastin tonë, katastrofa ishte rezultat i gabimit njerëzor, në rastin e tyre, katastrofa ishte rezultat i një katastrofe natyrore-në të dy rastet me pasoja të ngjashme”, thotë Krasnov.

Megjithatë, edhe përkundër këtyre katastrofave, Krasnov ende beson në ardhmërinë e energjisë bërthamore.

“Nuk ka ndodhur asgjë aq e rëndë, sa për të bindur njerëzimin që të heq dorë nga energjia bërthamore. Ata do të mësojnë të jetojnë me Fukushimën, pikërisht ashtu siç jemi mësuar ne të jetojmë me Chernobylin”, nënvizoi Krasnov.

(Newsweek)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›