E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërnjoftimet, opozita bojkoton seancën

17/04/2009  Deputetët e opozitës kanë boshatisur sallën e Kuvendit, në shenjë proteste për kartat

PS: Qeveria po lë mijëra shqiptarë pa votuar. Topalli: Politika e re ka frikë nga zgjedhjet

Opozita në grup ka bojkotuar dje seancën parlamentare, pas shqetësimit lidhur me ecurinë e deritanishme të procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste Valentna Leskaj kërkoi nga qeveria që të heqë taksën e votës dhe barrierat që i pengojnë shqiptarët për të ushtruar të drejtën e votës. Ajo akuzoi qeverinë se po shkel të drejtën e votës dhe rrjedhimisht po prish zgjedhjet. “Në qoftë se kujtoni se do të mbani pushtetin duke mbajtur shqiptaret larg kutive të votimit, kjo do të thotë se llogaritë i keni bërë gabim. Për sa kohë që dhe një shqiptar i vetëm nuk e paguan dot këtë taksë të turpshme të varfërisë, ne do të rezistojmë paqësisht, por vendosmërisht që e drejta e votës të mos cungohet. Duke shkelur të drejtën e votës, ju po prishni zgjedhjet, ndaj dua t’ju them se nuk ka zgjedhje pa zgjidhur këtë problem. Ne kërkojmë atë që kemi deklaruar dhe herë të tjera: hiqni taksën e votës, hiqni barrierat që i pengojnë shqiptarët për të ushtruar të drejtën e votës. Deri sa këto të dyja të zgjidhen, natyrisht që ne do të dalim nga Parlamenti”, - tha Leskaj. Në reagim të këtij qëndrimi, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e ka cilësuar qëndrimin e opozitës një alibi për të frenuar zgjedhjet dhe atë vetë një opozitë frikacake. “Ja politika e re, politikë që ikën, që ka frikë nga zgjedhjet. Ndërkohë që sot kemi një çështje të rëndësishme: do të dëgjojmë raportin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe Parlamenti do të flasë për krizën ekonomike, opozita, që paraqitet e merakosur, largohet nga salla”, - u shpreh Topalli. Ndërsa Ministri i Brendshëm Bujar Nishani rrëzoi të gjitha pretendimet e opozitës për dështimin e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta, duke e cilësuar një spekulim politik. “Të gjitha pretendimet për një rrezik të sajuar nga ana e opozitës në lidhje me pajisjen e qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet elektronike është tërësisht një spekulim politik dhe pjesë e një loje politike”, - deklaroi Nishani. Qeveria ka përpiluar një skemë të re, e cila ka për qëllim lehtësimin e pajisjes sw qytetarëve me kartat e reja të identitetit. Kryeministri Sali Berisha bëri para dy ditësh publike këtë skemë, e cila përmes kompensimit, faljes dhe detyrimit, përmes formave lehtësuese ka për qëllim nxitjen e qytetarëve për t’u pajisur me kartat e reja. Të gjithë qytetarët me ndihmë ekonomike, me të drejtë vote qeveria do të kompensojë 1000 lekë të reja, ndërsa 200 lekët e tjera do t’i japin vetë qytetarët. Ata që kanë marrë kuponin me shumën e caktuar fillimisht do të rimbursohen. Ndërsa për studentët, fakultetet dhe Ministria e Arsimit do të mundësojë kompensimin e 1000 mijë lekëve, ndërsa 200 lekë do ta japin para se të hynë në provime, duke e shoqëruar me kartën e re të identitetit. Ndërkohë romët dhe egjiptianët do të pajisen falas. Për sa u përket pensionistëve me pension minimal, më 1 maj përveç rritjes së parashikuar do të marrin edhe shumën prej 1000 lekë, ndërkohë që 200 lekë do t’i japin vetë. Kategoritë përfituese kanë dy muaj afat për të përfituar, në të kundër do të aplikohen edhe masa shtrënguese, me qëllim që të shkohet në zgjedhje me kartat e reja.

Valentina Leskaj

“Taksa e votës po lë qindra mijëra shqiptarë pa votuar dhe po e provokon opozitën përtej kufirit të durimit. Ndaj sot ne po i biem kambanës së alarmit për zgjedhjet duke dalë nga Parlamenti. Ne nuk mund ta lejojmë Sali Berishën të tallet me votuesit shqiptarë. Deri tani ka nxjerrë tri vendime asnjëri nuk është i zbatueshëm. Vendimi i fundit është i cunguar e konfuz dhe mban peng procesin. Me këtë vendim pranuat gabimin, por nuk zgjidhët problemin. S’bëtë gjë tjetër përveçse përpiqeni t’ua shkarkoni përgjegjësitë dhe dështimin tuaj si qeveri pushtetit vendor.”

Mazhoranca

Deputetët të mazhorancës e përkthyen largimin e opozitës nga salla e Kuvendit me frikën e tyre ndaj nismës që PD-ja po ndërmerr për hetimin e kryebashkiakut Edi Rama lidhur me lejet e ndërtimit. “Opozita ikën sepse ka frikë nga hetimi i kryetarit të saj”, - tha deputeti i PD-së Ferdinand Xhaferri. Ndërsa deputeti tjetër i së njëjtës forcë politike Edi Paloka vuri në dijeni opinionin publik se si nismëtar i kësaj çështjeje po mbledh firmat për zyrtarizmin e kërkesën në Kuvend. Ndërkohë ligji për organizimin e komisioneve hetimore ndalon ngritjen e komisioneve hetimore 4 muaj para zgjedhjeve parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›