E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Dy krizat e Shqipërisë

Tiranë -Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në një konferencë shtypi pak minuta më parë, deklaroi se opozita është e gatshme të ngrihet në të gjithë vendin, nëse Sali Berisha do të mbajë pushtetin, duke mos zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kryetari i PS-së, theksoi se kryeministri vazhdon të mohoj të drejtën e votës të qindra mijërave qytetarëve shqiptarë, që nuk kanë mundësi të paguajnë taksën e votës. Rama tha se dy janë problemet kryesore që po shqetësojnë vendin, kriza ekonomike, që kreu socialist akuzoi qeverinë se po e fsheh atë.

“E siguroj sot Sali Berishën se as kriza ekonomike nuk mund të menaxhohet duke e fshehur atë”-theksoi Rama nga ambientet e jashtme të selisë rozë. Ndërsa problemi i dytë, sipas Ramës është kriza politike, e cila edhe kjo është e varur nga qeveria, që ka të bëjë me kartat e identitetit.

“Unë e siguroj sot Sali Berishën se as kriza ekonomike, që po hyn përditë e më thellë në ekonominë reale të familjeve e të sipërmarrjeve shqiptare nuk mund të menaxhohet duke bërë sikur s’ka problem dhe as kriza politike, që po afrohet përditë e më shumë bashkë me dështimin e procesit të pajisjes së zgjedhësve me karta identiteti, nuk mund të shmanget duke bërë sikur s’ka problem.”-theksoi Rama, duke ofruar mbështetjen e opozitës për të zgjidhur këtë problem.

“Ne jemi gati të ulemi për ta zgjidhur këtë çështje”-tha më tej kreu socialist. Në fund të deklaratës, Rama deklaroi se përgjegjësia do të bjerë mbi qeverinë, nëse zgjedhjet do të dështojnë.

“Apeli im për kryeministrin është të dëgjojë këmbanat e alarmit që bien për të, sepse mbi të është barra e përgjegjësisë për të garantuar zgjedhjet duke garantuar votën e cdo qytetari e qytetareje të këtij vendi dhe mbi të do të bjerë e gjithë përgjegjësia historike për një dështim të zgjedhjeve që askush nuk e dëshiron”-përfundoi Rama deklaratën për shtyp.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›