E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të gjithë duhet të kenë të drejtën e votës”

17/04/2009  Ambasadori i SHBA-ve Xhon Uidhers flet për zgjedhjet e 28 qershorit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhon Uidhers ka theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që çdo qytetar shqiptar të marrë pjesë në votime. Për shefin e përfaqësisë së SHBA-ve parimi themelor, i rëndësishëm dhe që është në thelbin e debatit politik është e drejta universale për qytetarët të votojnë. “Çdo qytetar ka të drejtën për të votuar, që vota të numërohet në mënyrë të saktë dhe askush nuk duhet të lihet jashtë procesit. Kjo është një bindje për të cilën ne besojmë”, - ka deklaruar. Ai nënvizoi se në Shtete e Bashkuara kanë kaluar periudha të gjata që parimi i së drejtës së votës nuk respektohej. Gjatë një interviste televizive ambasadori Uidhers deklaroi se përmes kësaj eksperience të gjatë është arritur në vlerësimin e së drejtës së votës. “Askujt nuk duhet t’i mohohet e drejta në bazë të kritereve si raca etj”, - deklaroi Uidhers. Ai kujtoi se proceset zgjedhore në Shqipëri rëndom janë shoqëruar me probleme dhe vlerësimet nuk kanë qenë pozitive në lidhje me transparencën e tyre. “Ndërsa Shqipëria rritet e hyn në skenën ndërkombëtare, i duhet të përmbushë përgjegjësitë, një ndër të cilat është mbajtja e zgjedhjeve të lira, transparente e të ndershme. Kjo është një përgjegjësi kyçe me fitimin e statusit në skenën ndërkombëtare”, - deklaroi Ambasadori amerikan. Duke marrë parasysh zhvillimet në vendin tonë, Uidhers vlerësoi se tashmë nuk është në detyrën e komunitetit ndërkombëtar të japë udhëzime konkrete për procesin zgjedhor. Sipas tij, të gjitha palët në Shqipëri duhet të punojnë shumë për të përmbushur qëllimin. “Ajo që shpresoj që të gjitha partitë, drejtuesit politik të punojnë së bashku për të arritur qëllimin e madh zgjedhje të lira e transparente. Një standard që pritet për një anëtar të NATO-s”, - theksoi Uidhers. Ai nënvizoi se është shumë e rëndësishme që të punohet shumë tani dhe të evitohen skenarë të ndryshëm postzgjedhorë. Ambasadori amerikan ka vlerësuar se reformat në sistemin e drejtësisë janë tejet të rëndësishme për fuqizimin e demokracisë në Shqipëri. Për përfaqësuesin zyrtar të Uashingtonit në Tiranë pavarësia e gjyqësorit dhe reformat në të janë në themel të demokracisë. I pyetur në lidhje me çështjen “Gërdeci”, Uidhers tha se sistemi gjyqësor duhet të ketë mundësinë të operojë i pavarur nga ndërhyrjet politike dhe duhet të ketë hapësira që të bëjë punën e tij sipas dispozitave të ligjit dhe jo përmes ndërhyrjeve politike. “Një sistem gjyqësor i pavarur, ku prokurorët lejohen të punojnë pa sulme politike, janë të një rëndësie thelbësore që të arrijnë tek e vërteta. Sistemit të drejtësisë duhet ti jepet pavarësia që i nevojitet dhe që meriton. Vetëm në këtë mënyrë shoqëria do të mund të përmbushë standardet”, - deklaroi ambasadori amerikan Xhon Uidhers.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›