Libreza shëndetësore e pavlefshme, dhjetëra dokumente për të marrë shërbim në QSUT
Problemet e pacientëve në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza duket se nuk kanë të sosur. Përpos mungesave të vazhdueshme e tepër banale të kushteve në pavijone, e pamundësisë për tu mjekuar me medikamentet e spitalit, pasi në këtë të
fundit mungojnë gati 60 për qind e ilaçeve, pacientët edhe për më tepër ata të cilët janë të pajisur edhe me librezën shëndetësore në shumë raste nuk përfitojnë shërbimet e cilësuara me ligj kur personi është i siguruar. Këtë e kanë pohuar vetë pacientët të cilët sorollaten me orë e ditë të tëra në dyert e konsultave apo në pavijonet e QSUT-së. Sipas qytetarit H. Peçi edhe pse ai ishte i pajisur me librezën shëndetësore dhe është një prej pacientëve të shtruar në QSUT, i është dashur mbi 48 orë për të marrë një përgjigje negative se ilaçi kryesor që ai merr ne spital mungon. Sorollatemi gjatë gjithë kohës, edhe pse jemi me librezë shëndetësore në të shumtën e kohës ajo nuk na hyn në punë është e pavlefshme, sepse nëse nuk e fusim dorën në xhep e u japim ryshfet infermierëve edhe mjekëve asnjë shërbim nuk mund të marrim, tha dje për gazetën SOT qytetari Peçi. Sipas tij edhe pastruesja nuk bën asnjë veprim pa marrë ryshfet, dhe të gjitha shërbimet janë kthyer në një Pazar të vërtetë. Të njëjtën gjë pohojnë edhe pacientë të tjerë të cilët edhe pse të pajisur me dokumentacionin përkatës e sidomos me librezën shëndetësore vonohen e lihen mbasdore duke mos i kushtuar aspak vëmendje. Të gjithë personat që janë të pajisur me librezë shëndetësore sipas ligjit përfitojnë një sërë shërbimesh falas, shërbime të cilat në të shumtën e rasteve neglizhohen nga vetë mjekët, duke i vonuar pa shkak pacientët edhe në rastet kur ata janë pacientë apo edhe në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Libreza
Shërbimi shëndetësor shqiptar ofron një sërë mundësish për pacientët që vuajnë nga sëmundje të ndryshme. Këta të fundit mund ti përfitojnë ato në bazë të raporteve dhe marrëveshjeve të vendosura me institucionet shëndetësore në vend. Ndarja e pacientëve kryhet gjithashtu në mbështetje të faktit nëse ata janë pjesë e skemës së sigurimeve shëndetësore. Kështu kemi dy kategori pacientësh, ata që derdhin rregullisht këto sigurime, duke përfituar kështu shërbim shëndetësor falas, vërtetimi i së cilës shndërrohet në librezën e shëndetit. Kjo librezë është personale dhe e patjetërsueshme dhe përdorimi i saj nuk mund të bëhet nga persona të tjerë, me përjashtim të rasteve të veçanta të përcaktuara me udhëzimin e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Më pas janë edhe ata që nuk e kryejnë një procedurë të tillë. Këta të fundit përballen me tarifa të kripura, të cilat rëndojnë jo pak në xhepat e tyre. Institucioni përgjegjës për sigurimet shëndetësore është Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor (ISKSH).
Personat, të siguruar ose jo, që kërkojnë të marrin shërbim shëndetësor në institucionet shëndetësore të shërbimit parësor, në shërbimin shëndetësor dytësor, tretësor dhe në farmacitë e rrjetit të hapur, janë të detyruar të paraqesin, sipas rastit: librezën e shëndetit, rekomandimin e mjekut të familjes, rekomandimin e mjekut specialist, mandatpagesën për vizitën ambulatore pa rekomandim, mandatpagesën për vizitën te mjeku pa qenë i siguruar. Të gjithë personat, që nuk janë të siguruar, marrin shërbim shëndetësor duke paguar tarifat e miratuara në sistemin shëndetësor, ose çmimin e plotë të barnave. Institucionet shëndetësore janë të detyruara, të pranojnë kontrollin e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e kësaj procedure.
Përfituesit
Sigurimet shëndetësore janë të ndara në disa kategori. Kështu janë përcaktuar, sigurimet shëndetësore të detyrueshme, vullnetare, suplementare dhe vullnetare suplementare. Sigurimi shëndetësor i detyrueshëm mbulon gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë me banim të përhershëm në Shqipëri, si dhe të huaj e të punësuar e të siguruar. Kontributet paguhen nga shtetasit ekonomikisht aktive dhe shteti. Ndërkohë që, punëdhënësit marrin pjesë në kontributet që paguhen nga vetë ata dhe nga punonjësit e tyre. Në bazë të ligjit, një numër i madh personash përfitojnë falas shërbimet shëndetësore të vizitave dhe marrjen e barnave, në bazë të pamundësisë së gjendjes shëndetësore, por edhe të moshës që i përkasin. Kështu, invalidët e luftës, veteranët, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, të verbrit, pensionistët dhe fëmijët, janë pjesë e atyre kategorive që përfitojnë falas pa derdhur kontribute. Numri i të cilëve është tepër i lartë. Kështu, si kontribuues të drejtpërdrejtë janë vetëm 600 mijë persona, në marrëdhënie pune
Arta AGOLLI