E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri i Pinarit e ndeshja me VIP-at e 313-s

11/06/2009  Ndeshja me të paraburgosurit, Ylli Pinari tregon për librin e tij për Gërdecin

Mungon Delijorgji, detaje të lojës së futbollit dhe pjesëmarrësit aktivë

TIRANË- Burgu 313 nxjerr në fushë të paraburgosurit dhe i përball në miqësore me klubin sportiv “Tirana”. Ndonëse ditë e nxehtë, të paraburgosurit e Krimeve të Rënda në burgun 313-të, luajtën futboll me sportistët e Tiranës. Ndeshja ishte e qetë, ndërkohë që spektatorët ishin të shumtë. VIP-at e këtij burgu ishin rreshtuar të gjithë për të parë ndeshjen, ndonëse nuk qëndruan shumë. Ata ishin të lirë të qëndronin aq sa dëshironin. Askush nuk kishte dëshirë për të folur për median, ndonëse kureshtja e këtyre të fundit ishte e madhe. Mes të paraburgosurve ndodheshin dhe ata që u arrestuan pas tragjedisë së gërdecit. Ylli Pinari, Dritan Minxholli, të dy ulur afër e afër. Askush nuk kishte dëshirë të fliste hapur. Megjithatë, nga goja e Ylli Pinarit, njërit prej personave të akuzuar për tregtinë e fishekëve, dolën disa fjalë. “Jam duke shkruar një libër për gjithë punën time si drejtues i MEICO-s”. Kështu është shprehur Ylli Pinari duke e quajtur më pas akuzën politike dhe të montuar. Të ulur pranë njëri-tjetrit Dritan Minxholli dhe Ylli Pinari (gjithë kohën me kufje në vesh), nuk kanë qëndruar shumë si spektatorë.

Libri e ndeshja

Pas kësaj deklarate, Pinari është larguar i qetë në qelinë e tij. Është duke pritur gjykimin që ka kaluar në shkallën e parë të gjyqësorit së bashku me kolegët e tjerë dhe një numër të madh ushtarakësh. Ndërsa nuk e kalon kohën kot në burg. Në pritje të procesit gjyqësor, i është futur të shkruarit. Të gjitha kujtimet nga puna e tij dëshiron t’i hedh në një libër të vetëm duke futur brenda tij edhe procesin e hetimit dhe atë të gjykimit më pas. Pas ndeshjes së futbollit, e cila në të vërtetë nuk solli ndonjë gjë të madhe, një deklaratë ndryshe nga ajo e Pinarit ka bërë drejtori i burgut 313-të Shkëlqim Kalemi. Ky i fundit u shpreh se ka përgatitur terrenin për të bërë të mundur që të gjithë të paraburgosurit të votojnë. Kalemi tha dje se janë 355 persona të paraburgosur në këtë burg, të cilët në datë 28 qershor do t’i drejtohen kutisë së votimit. Ndërsa shtoi më tej se ky burg ka qenë i pari që përfundoi aplikimin e të paraburgosurve për karta identiteti dhe e ka mbyllur këtë fazë. Në ndeshjen e futbollit që u zhvillua në ambientet e burgut 313-të Tiranë, morën pjesë Lulzim Berisha, Indrit Fortuzi dhe disa të tjerë të paraburgosur, të cilët shprehën dëshirën të ishin pjesë e garës miqësore. Lul Berisha ishte aktiv në lojë. Ndërkohë që nuk dha asnjë deklaratë. Të njëjtën gjë bënë edhe të paraburgosurit e tjerë në këtë burg.

Lojtarët aktivë e të munguarit

Të burgosurit ishin të mbikëqyrur nga policia e burgjeve gjatë gjithë kohës, madje kishin marr urdhër të mos flisnin. Të njëjtën gjë për Pinarin për të cilin ishin të gjithë të interesuar të tregonte diçka rreth pozicionit të tij në gjithë atë ngjarje. Vlen të përmendet fakti se Mihal Delijorgji nuk u duk fare në skenë. Askush prej tyre nuk foli duke ia lanë fjalën drejtësisë prej së cilës shpresojnë shumë. Të ulur pranë njëri-tjetrit Dritan Minxholli dhe Ylli Pinari (gjithë kohën me kufje në vesh), nuk kanë qëndruar shumë si spektatorë.

Lista me disa nga më të rrezikshmit

VIP-at e burgut 313 e bandat që përfaqësojnë

Ndeshjet në këtë burg janë të shpeshta. Vetëm dy vjet më parë ky burg ndryshoi përbërjen e tij. Në të ishin grumbulluar të paraburgosur që gjykoheshin nga shkalla e parë e gjyqësorit, ndërsa tashmë është i populluar nga VIP-at e krimit. Në këtë burg mbahen të paraburgosur në pritje të fillimit të gjykimit dhe marrjes së vendimit, gjithë bandat kriminale. Banda e Lushnjës, ajo e Durrësit, banda e Cërrikut, grupi i Qafë- Gjashtës, të pandehurit e Gërdecit dhe shumë të tjerë që janë duke u gjykuar tek krimet e rënda. Asnjë prej tyre nuk e ka marrë vendimin nga drejtësia, ndërsa disa prej tyre janë shprehur se nuk kanë shumë besim tek gjykatat. Personat që ndodhen në këto ambiente janë bërë shkak i disa protestave apo grevave që kanë ndodhur vitet e fundit. Përmirësimi i kushteve si dhe largimi i drejtorit Kalemi ishin disa nga kërkesat e tyre gjatë kohës kur ndodheshin në grevë.

Drejtor Kalemi deklaron

Janë 355 të paraburgosur në pritje të votimit me karta

Burgu 313 është gati për 28 qershorin, ditën kur të gjithë do t’i drejtohen kutisë së votimit. Këtë fakt e pohoi dje drejtori i këtij institucioni, Shkëlqim Kalemi. Sipas Kalemit, burgu 313 ka qenë i pari që ka përfunduar aplikimin për kartat e identitetit dhe tashmë është gati për të siguruar votimin e të gjithë atyre që janë të arrestuar. Më pas Kalemi u shpreh se ka përgatitur dhomën e votimit në bazë të të gjitha rregullave dhe që të gjithë do të shkojnë drejt kutisë. “Kemi marr urdhër nga Drejtoria e Përgjithshme që të bëjmë gati dhomën dhe gjithçka të nevojshme dhe këtë gjë e kemi kryer më së miri”, - tha dje Shkëlqim Kalemi, drejtor i paraburgimit 313-të. Sakaq, kjo deklaratë pason atë të kreut të përgjithshëm të burgjeve, Gazmend Dibra, i cili ka thënë pak muaj më parë se të gjithë të burgosurit do të pajisen me karta identiteti dhe asnjë lëvizje nuk do të lejohet gjatë këtij muaji mes të burgosurve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›