Vorlik: Bisedime teknike Beograd-Prishtinë
Statusi i Kosovës është një çështje e mbyllur dhe tani Beogradi dhe Prishtina duhet të përqendrohen te zgjidhja e çështjeve praktike, është thelbi i intervistës që i dha këto ditë ambasadorja e SHBA-së në Serbi, Meri Vorlik, gazetës së përditshme serbe “Danas”. SHBA, përmes gojës së ambasadores së vet, bënë edhe një herë tjetër mjaft të qartë se janë kundër bisedimeve të reja për statusin e Kosovës dhe kundër ndarjes së Kosovës, por ndërkohë lanë të kuptohet se nuk do të lobojnë kundër Serbisë për shkak të përpjekjeve të kësaj të fundit për ta shtruar këtë çështje në debatin e OKB-së. Nga ana tjetër, SHBA shprehet se do t’i mbështesë me forcë bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës për çështje praktike, sikurse janë të tilla furnizimi me energji elektrike, telefonia, doganat, sistemi gjyqësor, vuri në dukje znj. Vorlik. Pyetjes se cilët janë prioritetet e SHBA-së kur është fjala për Serbisë dhe sesa rëndësi kanë ajo dhe rajoni në politikën globale amerikane, ambasadorja amerikane iu përgjigj, duke theksuar se “ajo që vlen për Serbinë, vlen edhe për vendet e tjera të rajonit. Do të dëshironim ta shihnim Ballkanin Perëndimor të integruar plotësisht në Bashkimin Europian dhe institucionet euroatlantike. Shumë nga programet tona të ndihmës synojnë të mbështesin synimet e Serbisë në procesin e integrimeve europiane dhe të anëtarësimit në BE. E konsiderojmë Serbinë si një partnere shumë të rëndësishme e thelbësore të SHBA-së në këtë rajon dhe dëshirojmë që ajo të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në lëvizjen e të gjithë rajonit drejt BE-së. Mendoj se marrëdhëniet amerikano-serbe janë shumë të fuqishme, pasi kemi shumë interesa të përbashkëta. Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd, para afro një viti, ishte i qartë kur shprehu dëshirën për marrëdhënie sa më të mira dhe për përmirësimin e tyre sa më tepër në shumë fusha. Ky është mesazhi dhe misioni që unë po përpiqem të promovojë qëkur kam ardhur në Beograd”, theksoi znj. Vorlik. Pyetjes tjetër sesi e vlerësonte ajo bashkëpunimin rajonal të Serbisë kur është fjala për Kroacinë, B-H-në, Malin e Zi dhe Shqipërinë, ambasadorja amerikane në Beograd iu përgjigj, duke vënë në dukje se “jemi bindur se Serbia është bërë një faktor mjaft konstruktiv në rajon. Në mënyrë të veçantë, përshëndesim dialogun aktual shumë premtues që kanë filluar Serbia dhe Kroacia, pra presidentët Tadiç dhe Josipoviç, me qëllim zgjidhjen e problemeve që prej një kohe të gjatë rëndojnë marrëdhëniet mes të dy vendeve. Gjithashtu, Serbia përpiqet të luajë një rol konstruktiv, kur është fjala për të gjithë paketën e sfidave, përballë të cilave ndodhet Bosnja e Hercegovina. Konstatojmë edhe sinjale shumë pozitive në marrëdhëniet e Serbisë me Shqipërinë, ndërkohë që është i dallueshëm kontributi i saj (Serbisë) në luftën kundër kriminalitetit të organizuar në nivel rajonal. Pra, në shumë fusha shohim një progres shumë të mirë. Sa i përket asaj nëse ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon, kishte kërkuar gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd që ky i fundit të fillonte bashkëpunimin praktik me Prishtinën, znj.Vorlik, tha se “ndihmëssekretari i Shtetit të SHBA-së erdhi javën e kaluar në Serbi me rekomandimin që të mbështeste fuqishëm aspiratat europiane të saj, ndërsa lidhur me marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës ai rekomandoi se SHBA mbështesin vendosjen e dialogut mes të dy vendeve, me qëllim avancimin dhe zgjidhjen e çështjeve praktike në terren, në Kosovë. Kurse sa i përket statusit të Kosovës, SHBA dhe Serbia që më parë ‘kanë rënë dakord se nuk janë dakord’ dhe ne nuk presim që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, por mendojmë se është e rëndësishme që të dy vendet të punojnë së bashku për avancimin e kushteve të jetesës së njerëzve që jetojnë atje”. Pyetjes nëse bashkëpunimi mes Beogradit dhe Prishtinës do të thotë që përfaqësuesit e tyre të ulën në të njëjtën tavolinë dhe të bisedojnë direkt, ambasadorja amerikane iu përgjigj, duke theksuar se “mendoj se ekzistojnë mënyra e forma të ndryshme për zgjidhjen e çështjeve praktike. Në disa fusha misioni i EULEX-it bashkëpunon me autoritetet përkatëse të Serbisë, ndërkohë që ne inkurajojmë me forcë që problemet të zgjidhen mbi një bazë komerciale, si për shembull kur është fjala për furnizimin me energji elektrike të pjesës veriore të Kosovës, që përfaqësuesit e KEK-ut kosovar të mund të ulen së bashku me përfaqësuesit e Elektro-Ekonomisë së Serbisë (EPS) dhe të arrijnë marrëveshje komerciale përkatëse. Sigurisht, që nuk na takon neve që të përcaktojmë se kush duhet të marrë pjesë në këto bisedime dhe se cili duhet të jetë formati i bashkëpunimit. Cili do të jetë qëndrimi i SHBA-së nëse puna nuk do të shkojë në një të ardhme të afërt deri te bisedimet Beograd-Prishtinë dhe nëse të dyja palët do të kenë pasoja?, ishte një pyetje tjetër që iu drejtua znj. Vorlik, në përgjigje të së cilës ajo tha: “Nuk duam të flasim për pasojat, por për përpjekjet që synojnë kërkimin e zgjidhjeve. Besoj se kjo gjë kërkon durim, përkushtim ndaj dialogut, përkushtim ndaj paqes e stabilitetit në rajon, si dhe vullnet nga ana e të dyja palëve për zgjidhjen e çështjeve të hapura. Ky do të vazhdojë të jetë qëndrimi ynë, pra durim dhe përkushtim ndaj qëllimit.
#