E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI, startojnë sondazhet elektorale

08/04/2009  Kontakte telefonike dhe anketime të drejtpërdrejta për qytetarët mbi zgjedhjet e 28 qershorit

Të majtët zgjedhin strategji të ndryshme për vjeljen e preferencave të votuesve shqiptarë

Partitë politike pjesëmarrëse në garën e ethshme për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit konsiderojnë si element të rëndësishëm edhe testimin paraprak të votuesve shqiptarë. Për këtë arsye dy partitë kryesore të së majtës, partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, kanë nisur të aplikojnë forma të ndryshme për të arritur realizimin e këtij testimi. Më konkretisht, si PS-ja, ashtu dhe LSI-ja kanë nisur të bëjnë sondazhet elektorale, me qëllim që të kenë një panoramë paraprake të përkrahjes që do të ketë secila prej tyre në zgjedhjet e përgjithshme. Nga ana tjetër, PS-ja dhe LSI-ja kanë zgjedhur forma të ndryshme për kryerjen e këtyre sondazheve. Duke i konsideruar sondazhet si pjesë të strategjisë elektorale të saj, Partia Socialiste ka ngritur një zyrë të posaçme në seli, ku një grup të rejash, kryesisht vullnetare, zhvillojnë biseda telefonike me qytetarët, duke marrë informacion lidhur me votën e tyre, pra se cilit subjekt politik do t’i përkasë mbështetja e të kontaktuarit. Ndryshe nga PS-ja, Lëvizja Socialiste për Integrim përmes shoqërisë amerikane “Greenberg Quinlan Rosner”, e kontraktuar prej saj për të bashkëpunuar për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ka nisur këtë testim në terren. Kështu, personat e zgjedhur nga kjo kompani kanë nisur t’u drejtohen dyerve të qytetarëve, duke u kërkuar plotësimin e një pyetësori, që natyrisht lidhet po me këtë garë. Në këtë pyetësor përveç pyetjes tradicionale: “Cila parti do të donit të fitonte zgjedhjet parlamentare të 2009-s?”, trajtohen dhe çështje të tjera, por që gjithmonë në funksion të këtyre zgjedhjeve. Kështu, në të zënë vend pyetje të tilla si: “Çfarë mendoni për qeverisjen aktuale?”, “Cili është opinioni juaj për krerët e majtë, konkretisht Edi Ramën, Ilir Metën?” etj. Por të bie në sy se pjesë e tij janë vetëm Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për integrim dhe G-99. Pra, opinioni apo mendimi i qytetarit duhet të vërtitet vetëm rreth këtyre subjekteve. Në fakt, secila nga këto dy parti prej kohësh ka nisur kryerjen e sondazheve elektorale. Por ndryshe nga më parë tashmë secila prej tyre po i zhvillon ato në rang vendi, me qëllim marrjen e një gjykimi të përgjithshëm për rezultatin paraprak që mund të marrin në këtë garë. Madje, PS-ja që me fillimin e përgatitjeve për organizimin e fushatës elektorale pati nisur kryerjen e sondazheve, por në zona të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme. Kështu, gjatë fazës kur grupet e punës duhet të përpilonin listat e votuesve në shkallë vendi, krahas këtij anëtarët socialistë duhej të evidentonin dhe përkatësinë politike të tyre, por njëkohësisht në kontaktet e drejtpërdrejta me çdo votues duhej të merrnin dhe numrat e tyre të kontaktit. Madje, krahas këtij testimi socialistët i patën kushtuar rëndësi shtimit të radhëve të mbështetësve socialistë me përfaqësues të shoqërisë civile. Përmes realizimit të këtij qëllimi PS-ja do të krijonte dhe një ide të qartë për numrin e mbështetësve të saj në çdo qark. Në të gjitha qarqet u shpërndanë manualet për të gjithë intelektualët e këtyre zonave dhe në bazë të përgjigjeve merrnin përfaqësuesit socialistë në qarqe nga kjo pjesë e shoqërisë do të shihej dhe mbështetja që do të gëzojë PS-ja për zgjedhjet parlamentare. Ardhur në këtë pikë, socialistët zhvillonin dhe sondazhet e tyre elektorale me anë të këtyre manualeve. Gjithashtu që herët Partia Socialiste pati nisur një testim të elektoratit, ku i gjithë procesi kryhej përmes linjës telefonike. Çdo qytetari të kontaktuar i drejtohej pyetja standarde: “Kush do të fitojë zgjedhjet e 2009-s”. Por tashmë, duke iu afruar gjithmonë e më shumë datës së zgjedhjeve, PS-ja dhe LSI-ja synojnë të përmbyllin një proces të tillë për të qenë deri diku të qartë për rezultatin.

Dy partitë e majta testojnë votuesit

Partia Socialiste

Për afro një javë Partia Socialiste ka nisur sondazhet e saj elektorale, çka po e bën përmes kontakteve telefonike. Një grup të rejash të përzgjedhura nga personat e ngarkuar nga kupola rozë për kryerjen e këtyre sondazheve, gjatë fushatës elektorale zhvillojnë gjatë ditës telefonat me votuesit. Kështu, në selinë rozë është ngritur një zyrë e posaçme, ku përmes numrave telefonikë të vëna në dispozicion nga PS-ja këto vajza, të cilat kryesisht janë vullnetare, kontaktojnë me qytetarët. Kontakti mund të jetë drejt numrave fiks, por dhe drejt atyre mobil. Përmes këtyre kontakteve merret opinioni i qytetarëve se cila parti duhet të fitojë në garën e ardhshme parlamentare e do të drejtojë pushtetin. Këto të dhëna më pas studiohen nga strukturat përkatëse për të bërë dhe kalkulimet, mbi të cilat zbardhet rezultati paraprak që pritet të marrë Partia Socialiste në zgjedhjet e parlamentare të 28 qershorit.

Lëvizja Socialiste për Integrim

Pak kohë më parë Lëvizja Socialiste për Integrim nisi bashkëpunimin për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit me kompaninë amerikane “Greenberg Quinlan Rosner”. Është pikërisht kjo kompani që ka nisur punën për testimin e votuesve shqiptarë. Kështu, prej pak ditësh kompania amerikane ka shpërndarë pyetësorin e saj, mbi të cilin synon të zhvillojë dhe një sondazh elektoral. Por njëkohësisht përmes përgjigjeve që qytetarët japin lidhur me pyetjet e përzgjedhura në këtë pyetësor do të mund të shihet dhe mbështetja që gëzon në opinionin e gjerë publik Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndërkohë zëvendëspresidenti i kompanisë amerikane “Greenberg Quinlan Rosner” Mark Feierstein pati deklaruar se periudha në të cilën kreu i LS-së Ilir Meta pati kryesuar qeverisjen socialiste, pra puna e tij gjatë asaj kohe, do të jetë dhe çelësi i fushatës elektorale të kësaj partie. Për këtë arsyeje në pyetësor kërkohet dhe opinioni i qytetarëve për politikanin Ilir Meta.

“Zogby”

Sondazhi i “Zogby” bëhet publik në “Top-Channel”. Në sondazhin e tij qenë përfshirë anketimet e 1000 personave, ndërsa gabimi sipas organizatorëve llogaritet në 3.2%. Nga rezultatet e sondazhit rezulton se 19% e të anketuarve janë të pavendosur se për cilën forcë politike do të votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit.

“Gain Bobi”

Sondazhi i realizuar nga qendra për studime humanitare “Gain Bobi” publikohet në televizionin “Klan”, rezulton se e djathta do të fitojë një mandat të dytë të qeverisjes me 48% të votave, ndërkohë që Partia Socialiste do të marrë vetëm 37% të votave të qytetarëve dhe LSI-ja do të arrijë të marrë vetëm 6.1%. Sipas sondazhit, humbëset e mëdha të këtyre zgjedhjeve do të jenë partitë e vogla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›