E Shtunë, 31 Tetor 2026

Limdal: Eulex në Beograd për arsye teknike

Prishtine - Zyra e misionit të Bashkimit Evropian, Eulex, në Beograd do të zëvendësojë atë të misionit të Kombeve të Bashkuara, UNMIK. Sipas zëdhënëses së EULEX,-it, Karin Limdal, kjo zyrë nuk është politike dhe si e tillë ka vetëm karakter teknik, për të siguruar bashkëpunimin me autoritetet serbe për çështje të krimit të organizuar, kontrabandës dhe çështje tjera të rëndësishme për bashkëpunim rajonal. Në një intervistë për RTK-në, Limdal shtoi se në planin e BE-së për vendosjen e EULEX-it parashihet hapja e zyrave rajonale, prandaj pos Beogradit, EULEX mund të ketë zyrë në Tiranë, Shkup dhe Podgoricë. Sipas saj, hapja e këtyre zyrave do të ndihmojë bashkëpunimin me INTERPOLIN, EUPOLIN, si dhe në luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar.

Ndërkohë, bëhet e ditur se autoritetet serbe janë pajtuar me hapjen e kësaj zyre ndërkaq gjatë gjysmës së parë të 2009-tës pritet hapja edhe e zyrave tjera në vendet e rajonit.Nga ana tjetër, në Nju Jork po vazhdojnë bisedimet rreth formës së raportimit të EULEX-it në OKB. Kjo çështje do të përcaktohet ndërmjet sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun dhe përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Havier Solana.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›