E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lindja e Mesme, Obama: Të rifillojnë negociatat

Presidenti amerikan Obama, duke bërë përpjekjen e tij më direkte në diplomacinë për Lindjen e Mesme, iu ka bërë thirrje izraelitëve dhe palestinezëve që të veprojnë me më shumë ngulm për arritjen e një paqeje formale mes dy vendeve. "Statusi i negociatave të përhershme duhet të fillojë madje sa më shpejt", tha Obama për gazetarët pas takimit tripalësh me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu dhe Presidentin palestinez Mahmud Abas. Gjatë takimit, ku nuk priteshin arritje të mëdha, Obama bëri që dy liderët e Lindjes së Mesme të shtrëngojnë duart duke buzëqeshur. "Është kohë e shkuar të flasësh për nisjen e negociatave. Është koha që të ecim përpara", u shpreh Obama. Ai tha se që kur ka marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë në muajin janar të këtij viti, janë bërë progrese për vazhdimin e bisedimeve të paqes, por ai nënvizoi se ka akoma shumë punë për t'u bërë. Presidenti amerikan theksoi se kryenegociatori i tij për Lindjen e Mesme Xhorxh Miçëll, do të takohet më negociatorët izraelitë dhe palestinezë sërish javën e ardhshme. Ai gjithashtu shtoi se Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton do të raportonte përpara tij në muajin tetor për situatën e bisedimeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›