E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Rama i ka kaluar të gjithë kufijtë

Kreu i Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka akuzuar ashpër opozitën, në fillim pse nuk erdhi në Kuvend dhe më pas për akuzat ndaj qeverisë në lidhje me keqmenaxhimin e situatës.Topalli deklaroi se “Ata që telefonuan për të përhapur panik, gabuan”. Po sipas saj, “gjatë këtyre ditëve të kësaj fatkeqësie që ndodh një herë në 100 vjet, zoti Edvin jashtë çdo morali shpresonte atë që kurrkush nuk do të donte të ndodhte. Ndërsa theksoi se, “Rama detyroi këshilltarët bashkiakë që të votonin kundër fondit të emergjencës ndaj Shkodrës. Ai me një montazh filmik u tregoi shqiptarëve hartën e zonave të përmbytura”, që sipas kryeparlamentares ishin të falsifikuara. “Gjatë këtyre ditëve të fatkeqësive natyrore, që ndodh një herë në 100 vjet dikush tha se 2,6 miliardë m³ ujë nuk janë nga Zoti, por nga robi.
Kur e dëgjova për herë të parë thashë, është lajthitje. Kur e dëgjova herën e dytë thashë është papërgjegjësi. Sot i them atij se ke kapërcyer të gjithë kufijtë. Je jashtë frymës, jashtë njerëzores, je jashtë racionales, je jashtë çdo morali.
Nuk dua ta them, por e kam menduar vazhdimisht se ti shpresoje atë që askush nuk e donte”, deklaroi Topalli. Sipas Kreut të Kuvendit, “ndryshimet klimatike goditën edhe Britaninë, edhe Gjermaninë, edhe Poloninë etj. Pati edhe të humbur. Numri i tyre vetëm në Poloni gjatë këtyre ditëve shkoi në 100. Por askush nuk tha se ishte marrëzia e pushtetit, apo farsa e Parlamentit”. Sipas Topallit, “nuk ishte hera e parë që ato po përmbyteshin, por ishte hera e parë që një qeveri po i ndihmonte. Dhe kjo i dukej e jashtëzakonshme”. Kreu i Kuvendit u shpreh edhe një herë se fatkeqësia në Shkodër erdhi nga ngrohja globale, ndërkohë që premtoi dëmshpërblim për banorët e zonave të përmbytura dhe rindërtim të shtëpive që ende ndodhen nën ujë. “Angazhimi ynë është që kur fshatrat të dalin nga uji do të bëhen më të bukura, kur të mbarojmë të gjithë këtë punë atëherë mbaron misioni ynë. Fatkeqësia në Shkodër na rikujtoi se ka një shpresë, për të kapërcyer vuajtjet e mëdha me dinjitet të madh”, vijoi Topalli.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›