E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: KE po ndjek me kujdes procesin zgjedhor

14/06/2009  Konferenca për integrimin

Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmuth Lohan deklaroi dje dhe një herë se zgjedhjet e 28 qershorit janë një test shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Gjatë një aktiviteti në Tiranë me Ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, Ambasadori Lohan u shpreh se Komisioni Europian po ndjek me kujdes procesin e zgjedhjeve në Shqipëri. "KE po ndjek me shumë kujdes procesin e zgjedhjeve në Shqipëri. Na ndajnë vetëm 2 javë nga mbajta e tyre dhe Shqipëria duhet të tregojë se i ka kapacitetet për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme", u shpreh Ambasadori Ndërkohë nga ana e saj Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi të premten se, integrimi europian vazhdon të jetë prioriteti kryesor i qeverisë shqiptare. Ministria e Integrimit në bashkëpunim me delegacionin e Komisionit Europian në Tiranë organizuan sot konferencën “Drejt Evropës”, me rastin e mbylljes së projektit të asistencës teknike me një vlerë 2.5 milionë euro, e cila mbështeti qeverinë shqiptare për ngritjen e kapaciteteve administrative për proçesin e integrimit, bën të ditur zyra për shtyp e Ministrisë së Integrimit. Gjatë fjalës së saj, ministrja e integrimit, Majlinda Bregu shprehu falënderimet për mbështetjen e KE-së në fuqizimin e kapaciteteve administrative të Shqipërisë, çka ka ndikuar, tha ajo, "në bilancin pozitiv të procesit të integrimit, me një track rekord të kënaqshëm të zbatimit të MSA-së dhe me aplikimin e vendit për anëtarësim." Sipas saj, “sot, tri vjet pas nënshkrimit të MSA-së dhe me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, integrimi europian vazhdon të jetë prioriteti kryesor i qeverisë shqiptare dhe i shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Kjo është shprehur qartësisht me paraqitjen e kërkesës për anëtarësim nga Shqipëria në 28 prill”, pohoi Bregu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›