E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loxha e Ericsonit

Për 10 vjet me radhë iu është kthyer Kosovës dhe një fshati që i mbeti në zemër që kur e vizitoi së pari herë.

Fshati quhet Loxhë ndërsa ai quhet Ake Ericson, fotograf nga Suedi.

Nga qindra mijëra momente të kapura me aparatin e tij, Ericson ka përzgjedhur afro 50 fotografi që t’i sjellë në Galerinë e Arteve të Kosovës.

Ishte gushti i vitit 1999 kur Ericson vesh për fshatin Loxhë nga një shok i tij suedez.
“Ai më tha që gjithsesi duhet të shkosh”, rrëfen Ericson.

Nuk kishte kaluar shumë dhe në shtator të vitit 1999 ai gjendet në fshatin më të shkatërruar të Kosovës.

“Ka qenë shumë mërzitshëm, nuk mund ta imagjinoni se sa njerëzit mund të jenë të ligë që ta shkatërrojnë një fshat sikur Loxha. E thuhet se Loxha ishte njëri ndër fshatrat më të bukur, duke pasur edhe një kulturë”, thotë Ericson i emocionuar.

Në vizitën e parë ai takohet me një grua fisnike, nënë e shtatë fëmijëve e quajtur Rabe Shala.

“Ajo i tha vajzës së saj të ma sillte një kafe, pasi jetonin në oborr dhe po mundoheshin ta rregullonin shtëpinë me ndihmën e kushërirave të tyre nga e gjithë Evropa”, rrëfen fotografi suedez.

Në katalogun e tij Ericson i thotë këto fjalë për këtë grua e cila ka ndikuar edhe në karrierën e tij.

“I kam borxh dhe falënderoj zonjën Rabe Shala dhe familjen e saj, sepse bënë jetën time profesionale shumë më të lehtë dhe më të përmbushur. Para se ta takoja, e shoh veten se isha fotograf karrierist dhe vetjak, duke punuar vetëm për një faqe të parë që bie në sy. Gjatë këtyre 10 viteve që kur fillova projektin, mendoj se jam pjekur dhe tani e di se cili është misioni im i vërtetë: ta bëj botën më të vogël, ndërsa njeriu e thjeshtë më të madh”, thotë Ericson.

Fotografitë të cilat i sjell Ericson janë tepër të afërta me njeriu e Loxhës, e tregojnë jetën në ditët e para të pasluftës, forcën, shpresën, vështirësitë, vuajtjet por edhe momentet më të mira të një familjeve të fshatit.

”Unë nuk jam artist, e konsideroj veten si lajmëtar”, thotë Ericson.

Hera e fundit kur ky njeri iu është rikthyer edhe një herë Loxhës ishte maji i vitit të kaluar kur edhe ishte përshëndetur me zonjën Shala.

“E kemi përshëndetur njëri tjetrin dhe kemi filluar të qajmë ndërsa ajo më pyeti se a do kthehesha. I thashë po”, tregon Ericson.

Ericson i ka shfaqur këto fotografi edhe në një ekspozitë në Stokholm, ndërsa pritet të shfaqen edhe në Gothenburg po ashtu edhe në New York.

“Kam ndjenja emocionale kur erdha. Edhe pse i kam parë këto fotografi për 10 vite, javë pas jave, por kur erdha këtu t’i vendosi ato ishte shumë speciale”, tregon Ericson.

Kush është Ake Ericson?

Ka punuar si fotograf që nga mosha 18 vjeçare, ndërsa sot është 48 vjeçar. Ka qenë i angazhuar në shumë gazeta; për 10 vjet ka punuar në gazetën më të madhe suedeze Aftonbladet. Pas 10 vjet përvojë, në vitin 1999 Ericson vendos të jetë fotograf i lirë. Sot punon për gazetën Dagens Nyheter, ku ka pasur edhe rolin e redaktorit. Udhëtimet e tij ishin në gjithë botën, si Koreja e Veriut, Sierra Leone. Në vitin 2008 Ericson shpallet fotografi më i mirë në Suedi duke marrë po ashtu çmimin “Fotografia e vitit” dhe “Fotoreportazhi më i mirë” 2007 dhe 2009 në SHBA. Sot është i kontraktuar edhe nga Aurora Phots në New York, ndërsa fotografitë e tij janë publikuar në gazetat dhe revistat si Stern, New York Times, Le Observateur, Paris Match dhe Newsweek. http://www.akeericson.com/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›