E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria në Kosovë, Harxhi pret Markus Bent

Drejtuesi i KFOR-it

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, lejtnant gjeneral Markus J. Bentler, ka zhvilluar dje një takim me zv.ministren e Jashtme Edith Harxhi. I ardhur në Tiranë me ftesë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral brigade Maksim Malaj, Bentler ka komunikuar me numrin dy të Ministrisë së Jashtme rreth situatës së sigurisë në Kosovë. Informacionet e përcjella nga zyra e shtypit e kësaj ministrie bëjnë të ditur se takimi mes komandantit të KFOR-it dhe Harxhit ka theksuar rolin e strukturës së NATO në ruajtjen e qetësisë, e cila shihet edhe sot si një nga pikat e ndjeshme rajonale. Duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë, bashkëbiseduesit janë ndalur edhe në praninë e rolin e mekanizmave europianë. Sipas tyre, EULEX dhe emërimi i përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në veri të Mitrovicës, Michael Giffoni, do të ndikojnë së tepërmi në përmirësimin e jetës së përditshme të komunitetit serb. Ky gjykim ka shumë rëndësi, sidomos nga pala shqiptare, sepse lidhur me EULEX-in në Kosovë ka një sërë rezervash dhe kontestimesh. Me këtë organizëm është e lidhur edhe situata që rrethon drejtuesin e “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, që aktualisht ndodhet në një proces gjyqësor.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›