E Shtunë, 31 Tetor 2026

MARRËVESHJA Rama: “Dakord me draftin, kutitë në Venecia”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në një konferencë për median, ka ofruar formulën e zgjidhjes së krizës politike e cila mbështetet nga opozita. Rama tha se zgjidhja mund të vijë përmes një konsensusi të palëve lidhur me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, dhe dërgimit të çështjes për hapjen e kutive të fletëve të votimit në një palë që është mbi palët, siç është Komisioni i Venecias. “I bëj apel Sali Berishës, nuk po kërkojmë gjë tjetër veç asaj që je i detyruar të garantosh për shqiptarët, transparencë në interes të popullit shqiptar”.
Në një konferencë për median Rama u shpreh se "kompromisi është gati: Trasparencë dhe kushtetutshmëri. Transparencë në funksion të garantimit të zgjedhjeve të ardhshme dhe në asnjë mënyrë për të marrë pushtetin në tavolinë por për të garantuar që pushteti të mos merret më nën tavolinë.
Zgjidhja
“Ne e kemi pranuar se jemi gati ta zgjidhim përmes vullnetit këtë krizë. Ndërkombëtarët kërkojnë zgjidhje dhe këtë e kanë deklaruar. Por i pari i qeverisë refuzon çdo zgjidhje sepse disponon një forcë kartonash të cilën e përdor abuzivisht. Kjo është tërësia e tablosë së sotme dhe unë doja ta nënvizoja që ne jemi gati për zgjidhje. Transparenca mund të nisë menjëherë duke hapur kutitë e dokumentacionit zgjedhor. Ndërsa për fletët e votimit në varësi të hetimit, mund të vendosë Komisioni i Venecias".
"Kjo është një krizë e rëndë që kërkon kompromis në funksion të interesit të transparencës. Palët kanë një detyrim karshi shqiptarëve. Mjafton vullneti që kjo zgjidhje të vijë menjëherë. Ne nuk do të bëhemi pengesë, por duhet edhe vullneti i palës tjetër", shtoi ai persa i përket draft-marrëveshjes së propozuar nga ndërkombëtarët dhe Presidenti. Përsa i përket protestës ai tha se "dua të falenderoj shpirtin opozitar që është mishëruar në çadrën ku dëshmohet nevoja e patjetërsueshme për vendosjen në themel të demokracisë dhe nga ana tjetër të shpreh falenderim të gjithë atyre që në protestën e djeshme treguan emancipim që duke i zhbërë zërat dhe gjithë mjegullnajat për të njollosur opozitën si një burim i mundshëm dhune".
Protesta
"E kanë të kotë ne nuk ndalemi ne nuk lodhemi. Ne sdo vëmë një palë kundër palës tjetër. Ne kërkojmë një Shqipëri ku të gjithë palët të bashkëjetojnë mbi parimet e vlerave. Shpreh edhe njëherë keqardhje për shurdhërinë dhe verbërinë e pushtetarëve". Ndërsa për akuzat e Berishës se Rama nuk lë qëllimisht autoritetet shëndetësore në çadra, lideri socialist tha se "në rast se qeveria kërkon të bëjë inspektime le ti bëjë, por tek këmbëngulja e Berishës për ekip mjekësor shtetëror në çadra shoh diçka të neveritshme që ka të bëjë me dëshirën që të ndodhë diçka e keqë që më pas të ngrihet kundër opozitës". Rama ka folur për problemet ekonomike në vend, që lidhen me papunësisë, borxhet e qeverisë ndaj firmave ndërtuesve dhe mbi të gjitha për borxhin publik i rritur me 10 për qind një vit më pare, ndërsa i kërkoi Fullanit të mos bëhet palë. "Unë i kërkoj Guvernatorit të mos e bëjë Bankën e Shqipërisë pjesë të krizës dhe nevojave të qeverisë sepse do të ishte fatale për ekonominë e vendit. Qeveria mund të bjerë Banka smund të lëkundet dhe as sistemi ynë bankar", tha ai.
Ky lajm është publikuar: 16/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›