MASH largon përgjegjësinë ndaj diplomave, ia hedh universiteteve
>Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka reaguar pas protestave të studentëve të disa degëve lidhur me mënyrën e pajisjes me diploma universitare, duke u shprehur se është detyrë e Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) të pajisin me diplomën dhe suplementin përkatës çdo student që ka kryer një program studimi.
Duke u bazuar në ligjin Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, MASH sqaroi se përmbajtja dhe forma e diplomës dhe e suplementit të diplomës përcaktohen nga senatet akademike, në përputhje me udhëzimet e ministrisë. Në përputhje me këtë ligj, MASH ka nxjerrë vitin e kaluar udhëzimin "për përmbajtjen dhe formën e diplomës të lëshuar nga Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), në të cilin saktësohen elementët e detyrueshëm të përmbajtjes dhe formës së diplomës, pra disa standarde shtetërore, mbi bazën e të cilave senatet akademike vendosin për modelin konkret të diplomës së veçantë të lëshuar nga çdo IAL. Ky standartizim është në përputhje me diplomat që lëshohen nga IAL-të, brenda Zonës Europiane të Arsimit të Lartë dhe më gjerë. Sipas Ligjit shqiptar dhe Marrëveshjes së Bolonjës, emërtimi i diplomës përmban nivelin dhe fushën e studimit të kryer. Në përputhje me ligjin MASH ka miratuar modelet e vendosura nga senatet e universiteteve të Tiranës, Elbasanit, Korçës, Gjirokastrës dhe Durrësit. Më 24 korrik 2008, MASH ka dërguar në Drejtorinë e Adinistratës Publike informacionin mbi ciklet e studimit, emërtimin e diplomave në përfundim të çdo cikli dhe mundësitë e punësimit. Në vazhdim të këtij informimi, MASH siguroi se do të ndërmarrë dhe hapa të tjerë për shpërndarjen e këtij informacioni, kategorive të ndryshme të punëdhënësve publikë dhe privatë