E Shtunë, 31 Tetor 2026

MTV në Shqipëri?

Nga Express më 10 janar 2011 në ora 12:42

Viti 2010 ka lënë jo pak gjurmë në karrierën e saj si këngëtare, por përveç kësaj, e ka bërë artisten Greta Koçi edhe pronare të një radioje. Në këtë intervistë të parë për vitin 2011, këngëtarja e suksesshme ndan me lexuesit e “Bluetooth” emocionet që e shoqëruan gjatë vitit që lamë pas.

Në fund të çdo viti bëhen bilancet për të parë çfarë u bë mirë e çfarë jo. Po ti Greta, ke bërë ndonjë bilanc? Nga kush anë rëndon më shumë peshorja?
Bilanci i vitit 2010, për mua ka qenë i suksesshëm, si në karrierën time muzikore ashtu edhe në biznesin tim mediatik, “GM Radio”. Uroj që dhe ky vit i ri të jetë sa më i mbarë për mua.

Sa këngë realizove?
Kam realizuar 5 këngë të reja dhe kam hedhur në treg albumin tim të tretë të titulluar “Bam Bam”.

Klipe bërë këtë vit?
Po kam realizuar 1 videoklip dhe gjatë këtij viti mora pjesë në festivalin “Kënga Magjike”.

2011 si pret që të jetë?
Uroj që ky vit i ri të jetë i mbarë për mua, ashtu sikurse edhe vitet e tjera. Kam disa projekte mjaft ambicioze të cilat besoj t’i realizoj këtë vit.

Ke bërë plane për këngë të reja?
Këtë vit kam planifikuar të realizoj katër këngë “single” të shoqëruara me katër videoklipe.

Ndonjë risi që do të të ndjekë gjatë këtij viti do të na tregosh?
Sapo kam miratuar një projekt për realizimin e një evenimenti muzikor, të përmasave të mëdha. Këtë vit dhe çdo fundvit që do të pasojë, “G.M.Radio” do të shpërndaje 20 çmime për 20 artistët më të pëlqyer dhe më të kërkuar nga vetë dëgjuesit e “G.M.Radio”. Do të jenë çmime në kategori si: Artisi i ri më i mirë, Kënga Hit, Teksti më i mirë, Kompozimi më i mirë, Kënga Stil, etj. Të 20 artistët që do të jenë pjesë e këtij eventi, do të përzgjidhen nga vetë publiku, pra dëgjuesit e “G.M.Radio”, të cilët me votat e tyre nëpërmjet sms-ve do të rendisin 20 këngët e tyre më të pëlqyera për javë e javë të tëra. Tashmë ky projekt ka filluar dhe çdo të premte në “G.M.Radio”, në emisionin “This is Hit, top 20” prezantohet klasifikimi javor i këngëve, të përzgjedhura nga vetë publiku dhe kështu me radhë deri në fund të vitit ku dalin 20 këngët më të mira të vitit. Ky kompeticion do të ketë format të ngjashëm me formatet e famshme botërore “MTV Music Awards”, por sigurisht në kushtet e vendit tonë!

Vetëm do të dëshironim të dinim nëse do të jesh ti pjesë e kësaj gare?
Sigurisht që jo. Unë do të jem producente e këtij festivali, por jo konkurrente. Pasi edhe sikur të isha vërtetë fituese, njerëzit do të flisnin dhe unë nuk dua të përflitem për diçka të cilën po e ndërtoj me kaq dëshirë dhe dashuri.

Të flasim pak më shumë për radion tani. Si po shkon ajo?
Po projektoj që këtë vit “G.M.Radio” të mund të dëgjohet Live edhe në internet. Gjithashtu pretendoj të zgjeroj frekuencën në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›