Makinat luksoze, dy në pranga dhe një në hetim
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të sektorit kundër krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, që kanë nisur ditët e fundit për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike dhe të klandestinëve, janë sekuestruar dje tre makina luksoze, një “BMW” dhe dy të tipit “Mercedes Benz”, ndërkohë që janë arrestuar në flagrancë dy shtetas shqiptarë dhe ndiqet në gjendje të lirë një shtetas italian. Operacioni i koduar “Makinat luksoze” është zhvilluar të martën mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative. Si rezultat i këtij operacioni është bërë e mundur që në qytetin e Gjirokastrës fillimisht të sekuestrohen dy automjete të kushtueshme, prodhime të viteve të fundit, konkretisht një fuoristradë e tipit “BMW X5” me targa DT739FK, e drejtuar nga 34-vjeçari Salento Gërveshi nga Lazarati dhe një tjetër e tipit “BMW seria 5”, me ngjyrë të zezë, me targa CP221FL, që drejtohej nga 24-vjeçari Bektash Kore nga qyteti i Gjirokastrës. Të dy shtetasit e lartpërmendur janë arrestuar në flagrancë, ndërkohë që në vijim të operacionit në Kakavijë është bërë bllokimi i automjetit tip “Mercedez Benz” me tragë DP556JW, që drejtohej nga një shtetas italian me inicialet L.S. Automjeti që po hynte në Shqipëri rezultoi i vjedhur dhe ndaj italianit kanë filluar hetimet.
#