E Diel, 1 Nëntor 2026

Mamurras,bandat rivale përplasen me armë, 20 të shoqëruar

MAMURRAS- Policia ka shoqëruar mbi 20 persona ndërsa ende nuk ka dhënë zyrtarisht motivet dhe emrat e pjesëmarrësve në përplasjen me automatik kallashnikov mes dy bandave rivale në qendër të qytetit të Mamurrasit.

Përplasja me armë mes dy grupeve të të rinjsh ndodhi në orën 20:00 të së premtes dhe terrorizoi banorët e këtij qyteti për gati 15 minuta.

Ajo nisi në lokalin në qendër të qytetit për të vazhduar në dalje të tij. Paraprakisht mendohet që numri i pjesëtarëve në konflikt të jetë më shumë se 10 vetë.

Breshëritë e armëve kanë dëmtuar automjetet që ndodheshin të parkuar aty si dhe automjetet e personave në konflikt. Gjithashtu në dy pallate janë dëmtuar xhamat dhe plumbat kanë goditur dhe mure e mjedise të tjera të apartamenteve. Burimet zyrtare të policisë mohojnë që të ketë të plagosur, por burime jozyrtare konfirmojnë se të paktën nga përleshja me armë janë plagosur dy persona. Në vendin e ngjarjes, në hyrje të lokalit, janë gjetur shenja të shumta e të dukshme gjaku. Burimet policore e klasifikojnë ngjarjen paraprakisht si "luftë me armë mes të fortëve" por japin pak detaje për krimin. Në mbështetje të bluve vendas, kanë shkuar dhe forcat speciale nga Lezha.Burimet e policise thonë se kanë dyshime, pista dhe njerëz konkretë, por për arsye hetimi,ende nuk mund të bëhen publik detajet.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›