E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mandatin e ardhshëm do të heqim vizat dhe do të rritim nivelin ekonomik”

26/05/2009  Kryetarja e Kuvendit vijon turin “Shqipëria po ndryshon” në Rrëshen

Topalli orienton djathtas, duke sulmuar kryebashkiakun Rama

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon” u premtoi banorëve të Rrëshenit gjatë takimit që zhvilloi me ta se gjatë mandatit të ardhshëm qeverisja demokratike do të shënojnë rritje ekonomike dhe heqjen e vizave me BE-në. Duke përjashtuar si arritje të realizuar rritjen e pagave dhe të pensioneve, kryetarja e parlamentit përmendi rritjen e investimeve dhe rritjen e luftës kundër korrupsionit, si dhe rritjen e eksporteve. “Nuk është vetëm infrastruktura dhe rritja e rrogave, nuk është vetëm rritja e pensioneve dhe rritja e buxhetit, nuk është vetëm dyfishimi i të ardhurave. Është rritja e turizmit, rritja e eksporteve. Është dixhitalizimi, është ulja e vjedhjes, e korrupsionit, është rritja e imazhit, zbukurimi i imazhit tonë, zbukurimi i imazhit të shqiptarëve. Doktrina ekonomike ishte një doktrinë, në radhë të parë në luftë kundër korrupsionit, në luftë kundër krimit të organizuar”, - theksoi Topalli. Në këtë kontekst ajo kujtoi se mazhoranca qeverisëse që ajo përfaqëson e mban fjalën dhe premtimet që bën. “Ne kemi treguar se, kur e themi fjalën, e mbajmë atë. Këta 4 vjet kanë qenë konfirmimi i fjalës së mbajtur, këta 4 vjet kanë qenë konfirmimi i premtimeve të mbajtura”, - tha numri një i Kuvendit të Shqipërisë. Me qëllim orientimin e qytetarëve drejt të djathtës, Topalli sulmoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht dhe kryetar i PS-së, Edi Rama. “Ne nuk jemi si Bashkia e Tiranës, që protestoi kur Shqipëria hyri në NATO. Jemi dy botë krejt të ndryshme. Ne nuk jemi si Bashkia e Tiranës, që hedh baltë mbi rrugën që po e bën jetën më të mirë, që hedh helm çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë mbi rrugët që bashkojnë shqiptarët. Nuk është më Partia Socialiste, por është partia e betonit, është partia e lejeve të ndërtimit, partia e 15-përqindëshit”, - përfundoi Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›