Maqedoni, qeveria Gruevski nuk akordon fonde per kulturen shqipe

Shkup, 19 mars, 11:42, NOA - Favorizimi i kulturës maqedone dhe dekompozimi brutal i kulturës shqiptare është stimuluar kohëve të fundit edhe nga qeveria e cila ka përkrahur botimin e shumë librave në gjuhën maqedone, por jo edhe në atë shqipe.
“Ky është shembulli më i keq se si mund të ndahen mjetet buxhetore dhe si kultura shqiptare është lënë nën mëshirën e talljeve maqedone”, - theksojnë publicistët dhe personalitetet e letrave shqipe.
Shqiptarët këtë vit do të jenë të zhveshur nga projektet kulturore dhe kjo krejt kjo për shkak të buxhetit të reduktuar në Ministrinë e Kulturës.
Si në të gjitha segmentet tjera të poshtërimit shqiptar, gjithashtu edhe në sferën e kulturës shqiptarët do të përballen me një reduktim të tmerrshëm kulturor.
Në buxhetin voluminoz për kulturë që parasheh zhvillim dhe promovim të kulturës maqedonase, shqiptarët do të përfshihen vetëm në projekte zhgënjyese dhe të reduktuara botuese.
Gati thuajse shqiptarët do të mbeten të harruar nga kjo ministri, madje të nënçmuar, e cila tashmë pa ndonjë person vendimmarrës për kulturën shqiptare nuk do të ketë sinjale pozitive se do të ndryshojë diçka në këtë drejtim.
Kjo zhveshje kulturore mund të dëshmohet me financimin e vetëm disa botimeve gati me shifra qesharake, ndërkohë që mungojnë projektet të cilat thithin pjesë më të madhe nga buxheti i Ministrisë së Kulturës.
Në krahasim me mega-projektet maqedonase siç janë ajo e filmit, e restaurimeve, gërmimeve arkeologjike, e dokumentarëve dhe teatrove si dhe shumë të tjera, financimet në kulturën shqiptare për këtë vit duken qesharake dhe të lëna në mëshirën e institucioneve mospërfillëse që nuk japin as sinjalin e vetëm se do të ndryshojnë diçka në këtë drejtim.
Në vijim të kësaj, nuk ka pasur deri tani as një reagim nga ndonjë institucion kulturorë shqiptarë apo ndonjë individ që ka konkurruar në këto projekte.
Duket se në njëfarë mënyre shqiptarët kanë filluar të pajtohen me këtë fat të caktuar nga lart duke vazhduar të jenë pjesë të shkretëtirës kulturore. Reagimet e tyre më shumë bëhen nëpër biseda miqsh dhe aty përfundon gjithçka.
Favorizimi i kulturës maqedone dhe dekompozimi brutal i kulturës shqiptare është stimuluar kohëve të fundit edhe nga Qeveria e cila ka përkrahur botimin e shumë librave në gjuhën maqedone, por jo edhe në atë shqipe. Ky është shembulli më i keq se si mund të ndahen mjetet buxhetore dhe si kultura shqiptare është lënë nën mëshirën e talljeve maqedone.
Halimi: Anashkalimi total i kulturës shqiptare
“Sa i përket ndarjes së mjeteve financiare në kulturë, kjo definitivisht varet nga ata se kush janë në krye të kësaj ministrie” thotë publicisti Avni Halimi.
Sipas tij, derisa para dy viteve të kaluara 2006 -2008 kur ishte ministri nga shqiptarët nuk ishte keq me aktivitetet kulturore të shqiptarëve dhe ndahej buxheti tamam në mënyrë proporcionale ndërkohë edhe 25 përqindëshi ndahej në çdo aktivitet duke filluar që nga sektori i botimeve, i filmit, pastaj sektori i arteve pamore dhe deri te gjurmimet arkeologjike.
“Tani në këto muaj, meqë partia shqiptare në pushtet mendon se prioritetet e saj janë në objekte dhe jo në kulturë, atëherë kemi një disbalancim total si të aktiviteteve kulturore, po ashtu edhe ndarjes së mjeteve financiare”, theksoi Halimi.
Ai ka shtuar se me keqardhje mund të konstatohet dhe shihet se aty nuk është arritur të merret as 19 përqindëshi i buxhetit ndërsa nëpër sektorët tjera as edhe nuk mund të flitet .
”Totalisht është një frenim i gjithë aktiviteteve kulturore shqiptare, saqë është për keqardhje” theksoi Halimi.
Sipas tij, partia në pushtet dhe kuadrot e saj jo që nuk ka angazhuar asnjë funksionarë shqiptarë në këtë ministri, por edhe ata që ishin në udhëheqjet e njësive apo sektorëve u degraduan, kështu që shqiptarët nuk kanë asnjë qasje jo vetëm në ministri të kulturës, por as në aktivitete kulturore.
Ata si duket vazhdon Halimi ndahen të kënaqur me iniciativa individuale , me aktivitete personale të kulturës dhe mendojnë se kjo është kultura.
I pyetur nëse duhet të ngrihet ose jo zëri i intelektualëve dhe i njerëzve të tjerë të kulturës, publicisti Halimi tha se disa njerëz që në periudhën 2006-08 ishin shumë të zëshëm , sot heshtin sepse siç u shpreh ata me ndikim funksionarëve partiak në pushtet kanë arritur të marrin “nga një kockë dhe kanë hyrë në kështjellën e tyre dhe heshtin duke mos pasur as reagim , nuk nxisin as probleme dhe shqetësime për devalvimin e kulturës shqiptare”.
Sipas tij, këta njerëz kanë marrë nga një projekt dhe ca lekë dhe heshtin dhe nuk ka asnjë reagim.”Në periudhën 2006 e këndej derisa lulëzonte kultura shqiptare dhe derisa merrnin lakmi Ministria e Kulturës së Kosovës dhe Shqipërisë , kishte reagime tepër tendencioze , ndërsa tani është një letargji totale, një gjumë dhe këta njerëz përpos përfitues të rastit, nuk mund të jenë njerëz të kulturës” tha Halimi.
Edhe botuesit të revoltur dhe pakënaqur
Botuesi Halil Zendeli vlerëson se derisa në Ministrinë e Kulturës nuk ndërtohen edhe disa kritere e standarde për veprimtarinë botuese, të cilat do të parashiheshin edhe në konkurset, dhe jo vetëm për veprimtarinë botuese, vazhdimisht do të ketë vërejtje dhe do të shprehen pakënaqësi pas shpalljes së rezultateve.
Zendeli ka vërejtje edhe në mënyrën e vendosjes, por edhe në përzgjedhjen e përfaqësuesve shqiptarë në këtë ministri, të cilët propozohen nga partia në pushtet.
”Kështu ndodhi sivjet, ku anëtari shqiptar i komisionit, që nuk di ç’është kultura e libri, bëri keqpërdorime të mjeteve, duke i favorizuar disa nga anëtarët e ashtuquajtur shoqatë e botuesve”, thotë Zendeli.
Sipas tij, pa një platformë për zhvillimin e veprimtarisë botuese , vazhdimisht do të ketë pakënaqësi dhe fërkime ndërmjet botuesve të mirëfilltë dhe botuesve profiterë dhe ankesat ndaj Ministrisë së Kulturës nuk do të mungojnë.
“Po t’u hidhet sy dhe analizohen mirë rezultatet nga konkursi për këtë vit, do të vërehet se shumicën nga ata që marrin mjete nga Ministria e Kulturës nuk i di dhe i njeh kush, as veprën e autorin dhe as botuesin”, thotë ai.
Zendeli thotë se ka raste kur një familje ka të regjistruar edhe nga dy-tri shtëpi botuese e shoqata. “Më mirë mos dimë se çka ndodh e fshihet pas rezultateve, atje ku nuk kemi qasje, me diferenca të mëdha mjetesh për libër, pavarësisht vlerave, ku vijnë në shprehje edhe shumë faktorë të tjerë të natyrës subjektive”, shton ai.
Fushata zgjedhor pa cekur problemet dhe anashkalimin kulturor
Analistët thonë se në fushatën zgjedhore është përmendur shumë pak problemi i çështjeve kulturore.
Analisti Sefer Tahiri shprehet me këtë rast se në fushatën për zgjedhjet lokale të 22 marsit, partitë politike duke u përqendruar në çështje politike por edhe në çështjet e infrastrukturës si zakonisht anashkaluan kulturën dhe projektet konkrete për jetësimin e jetës kulturore në komunat me shumicë shqiptare. “Kandidatët për kryetarë të komunave shumë pak kanë shpalosur idetë dhe konceptet se si mund të gjallërohet jeta kulturore meqë nuk dëgjuam ndonjë kandidat që të thotë se do të angazhohet për funksionimin e shtëpive të kulturës, teatrove profesioniste në qytetet më të mëdha ose biblioteka” theksoi analisti Tahiri.
Ky në fakt sipas tij duhet të jetë prioritet i drejtuesve të rinj të komunave pasi shqiptarët nuk kanë nevojë vetëm për politikë por edhe kulturë dhe për kultivimin e vlerave shpirtërore në mënyrë institucionale, pasi sipas tij, ka deficit të madh të institucioneve kulturore në komunat e shqiptarëve.
NOA-INA