Maqedoni, takimi i partive politike pa marrëveshje
SHKUP - Ka përfunduar pa asnjë marrëveshje takimi i partive politike në Maqedoni për çështjen e emrit dhe për qëndrimin me Greqinë. Kryeministri Nikolla Gruevski dhe partia e tij VMRO-DPMNE ngulin këmbë për një formulë të dyfishtë, që vendi në Kombet e Bashkuara të njihet me emrin kushtetues “Republika e Maqedonisë” dhe në marrëdhënie me Greqinë të mund të përdoret ndonjë referencë tjetër. Por presidenti Branko Cervenkovski thotë se formula e dyfishtë paraqet një qëndrim në vendnumëro për çështjen.
Ndërkohë që Bashkimi Demokratik për Integrim, partia shqiptare në koalicion, është shprehur se mbështet çfarëdo propozimi përveç “Maqedonia Sllave” ose “Republika Sllave e Maqedonisë”. Në këtë takim partia shqiptare ne opozitë PDSH nuk ka marrë pjese, duke argumentuar se nuk mund te ishte e pranishme në një përbërje ku ishin ftuar edhe partitë e vogla politike. Përfundimisht liderët e partive dhe presidenti Cervenkovski nuk arritën asnjë marrëveshje për qëndrim të përbashkët ndaj çështjes së emrit, çështje që po negociohet nga i dërguari ndërkombëtar Metju Nimiç.
(a.s/News24/Balkanweb)