Rruga Durrës-Kukës dyfishon kompanitë kosovare në portin e Durrësit
Shembja e murit të fundit në tunelin kryesor të rrugës së re Durrës-Kukës nga dy kryeministrat Berisha e Thaçi, duket se ka nxitur me shpejtësi biznesmenët e dy vendeve për bashkëpunime reciproke. Transporti me kontejnerë këtej e tutje do të nisë gjerësisht edhe nga porti i Durrësit, i cili ka një infrastrukturë moderne lidhur me këto shërbime. Bizneset kosovare i kanë kthyer sytë nga porti më i madh i vendit, ai i Durrësit.
Kjo, për shumë arsye, por më kryesorja, veç sigurisë dhe afatit më të shkurtër kohor të transportit, edhe sepse rruga e re zvogëlon afatet kohore dhe se heqja e barrierave doganore me Kosovën si dhe përmirësimi i parametrave fizikë dhe teknike në portin detar të Durrësit ka ndikuar në rritjen e volumit të mallrave të cilat nëpërmjet këtij porti përfundojnë në Kosovë dhe Maqedoni.
“Me mijëra kontejnerë plot me mallra të ndryshme janë të porositur në vendet perëndimore nga kompani kosovare të cilat vendosen me regjim të përkohshëm në terminalin e ngritur për përpunimin e tyre që më pas nisen në drejtim të Kosovës”, - deklaroi për “standard” drejtori i APD-së, Eduart Ndreu. Një situatë e tillë ka favorizuar hyrjen në procedurat e bashkëpunimit reciprok edhe të katër kompanive të cilat merren me transportin e kontejnerëve nga dy të tilla që ishin deri në fillim të këtij viti. Më parë, një pjesë e madhe e mallrave të destinuara për Kosovë (por edhe Maqedoni) kalonin nëpërmjet porteve greke.
Por tashmë rruga e re, e cila shkurton afatet kohore nga 8 orë në vetëm 2.5 orë nga Durrësi në Kukës, rritja e transportit me kontejnerë si dhe zbutja e barrierave doganore në portin detar të Durrësit i ka rikthyer kontejnerët dhe trajlerat në këtë port në bizneset kryesore mes kompanive shqiptarë e kosovare. Sipas statistikave doganore, rezulton se për çdo ditë në drejtim të Kosovës udhëtojnë 20 kontejnerë dhe një numër i përafërt trajlerash të tonazheve të larta.
Deri para disa muajve, portin e Durrësit e prekte vetëm një traget i mbushur me kontejnerë, ndërsa sot janë dy apo tre të tillë, të cilët kryejnë dy rrugë, pra janë katër prekje në javë dhe 16 në një muaj. Kontejnerët dhe trajlerat kalojnë transit nëpërmjet portit dhe procedurat doganore realizohen në vendet përkatëse. Por edhe pse dogana e Durrësit nuk përfiton të ardhura në mënyrë direkte nga kalimi i tyre nëpërmjet këtij porti, përsëri fitimi është i madh. Përfitojnë kompanitë shqiptare të transportit, është rritur numri i mjeteve të rënda të cilat lëvizin në aksin Durrës-Kosovë, përfiton porti detar nëpërmjet taksave të imbarkimit si dhe subjektet që merren me kryerjen e shërbimeve dytësore.
Më parë, pjesa më e madhe e këtyre mallrave kalonte transit, por nëpërmjet porteve greke. Kosovarët sjellin në portin e Durrësit mallra nga më të ndryshmet duke nisur që nga artikujt ushqimorë, ata industrialë, materialet e ndërtimit, artikuj elektroshtëpiakë të cilët i blejnë në vendet perëndimore me shumicë. Kontejnerët dhe trajlerat i nënshtrohen verifikimit të dokumenteve të mallrave që mbartin si dhe skanimit nga jashtë nëpërmjet aparatit të instaluar pak kohë më parë në doganën e Durrësit.
Durrës
Rrugë e re në Shkozet
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka përuruar rrugën tek nënstacioni në Shkozet. Kjo rrugë është rindërtuar me një fond të Bashkisë së Durrësit me një vlerë prej 14 767 880 lekë. Sipërfaqja e punimeve është 2704 metër katrorë dhe gjatësia e kësaj rruge është 500 metra. Kryebashkiaku Dako është shprehur se përmirësimi i infrastrukturës së qytetit është një prioritet i Bashkisë së Durrësit: “Ky përmirësim i infrastrukturës në Durrës pa dyshim që është prioritet aq sa mund të them se 50% e buxhetit të 2009-s shkon në përmirësimin e përgjithshëm infrastrukturor të qytetit. Ashtu si kjo rrugë, në ditët në vazhdim ne do të përurojmë edhe 15 objekte të tjera infrastrukturore, si rrugë, kuartalle etj., pasi ky përmirësim i infrastrukturës ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e jetesës së qytetarëve. Ne kemi parashikuar dhe kemi filluar punën edhe në shumë objekte të tjera rrugore, ku mund të përmend investimin prej 40 milionë lekësh në rrugën “Taulantia”, rrugën “Kristaq Rama” 20 milionë, investim i bashkisë, rrugën “Koço Kazanxhi”, “Neki Libohova” 60 milionë, te FNSH-ja e Shkozetit 20 milionë, rruga e centralit elektrik 20 milionë, dy rrugë me vlerë të përbashkët prej 40 milionësh në plazh, rruga e Spitallës 30 milionë etj.”. Në këtë përurim merrnin pjesë edhe disa nga kandidatët për deputetë të Durrësit, si Klodiana Spahiu, Edison Konomi, Ledion Lako etj.