Rruga e Barrikadave, me korsi për biçikletat
Rruga e Barrikadave është një tjetër rrugë me korsi të veçantë për biçikletat që i shtohet kryeqytetit. Me një fond prej 60 milionë lekësh, nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës kanë përfunduar dje punimet për rikonstruksionin e Rrugës së Barrikadave (segmenti nga Unaza e vogël deri tek Unaza ekzistuese).
Gjatë inaugurimit të kësaj rruge të re, të pajisur me korsinë preferenciale për kalimin e biçikletave, kryetari i bashkisë, Edi Rama, u shpreh: “Korsia e biçikletave është një risi në një qytet, i cili po gjallërohet dita-ditës dhe po bëhet dita-ditës i qytetarëve, një korsi që do të jetë gjithmonë e më e pranishme në rrugët e kryeqytetit, për të bërë të mundur lëvizshmërinë me biçikletë, si mënyrë alternative e lëvizjes në një qytet”.
Vaksina anti-grip
Nga 1 tetori, në çdo farmaci
Nga data 1 tetor në farmacitë e vendit mund të gjendet vaksina e re kundër gripit sezonal. Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik njoftojnë se tashmë është arritur që të prokurohet kjo vaksinë dhe se që në ditën e parë të muajit të ardhshëm mund të merret nga qytetarët. Kjo është arritur, pasi dy kompani farmaceutike kanë sjellë në tregun shqiptar rreth 70.000 doza vaksinë kundër gripit.
Sipas specialistëve, mënyra më e thjeshtë dhe me kosto efektive për t’u mbrojtur nga gripi sezonal është vaksinimi i përvitshëm kundër tij.
Periudha nëntor 2008–prill 2009 përkon me periudhën e gripit sezonal. Vaksina e re e gripit sezonal përmban tipa virusesh, të cilat rekomandohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, bazuar në survejancën ndërkombëtare dhe vlerësimet e ekspertëve në lidhje me tipat e viruseve në qarkullim.
Specialistët e ISHP-së sqarojnë se vaksina mund të aplikohet nga çdo person, përfshi gratë shtatzëna, por këshillohet veçanërisht te disa grupe të popullatës, për arsye të riskut më të lartë për komplikacione nga gripi, siç janë fëmijët mbi 6-muajsh që frekuentojnë çerdhe, kopshte dhe shkolla, personat mbi 60 vjeç, personat që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive, zemrës, veshkave etj. Një dozë e vaksinës së gripit të inaktivuar është imunogjenike për individët e të gjitha moshave, përveç fëmijëve të vegjël. Fëmijët e vegjël që nuk kanë qenë vaksinuar, për të pasur një efikasitet të lartë të vaksinimit, rekomandohet të marrin 2 doza të vaksinës së inaktivuar (sipas dozimit për fëmijët) në një interval kohor të paktën 4 javë midis dozave.
Mjekët
Nis kursi për menaxhimin e spitaleve
Sistemet e programit dhe kontrollit të administrimit të strukturave spitalore do të jenë kurset që do të zhvillojnë mjekët për t’u bërë menaxherë spitalesh. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, kryetari i Komisionit parlamentar të Shëndetësisë, Tritan Shehu, ambasadori italian në vendin tonë, Saba D'Elia, përfaqësues të Universitetit të Firences, si dhe kursantë, kanë hapur dje siparin për fillimin e kurseve. Kursi realizohet nga Universiteti "Zoja e Këshillit të Mirë", në bashkëpunim me Universitetin e Firences në Itali. Pjesëmarrës në të janë drejtues kryesorë të sistemit shëndetësor në vend.
Ministrja Godo nënvizoi se ky projekt realizohet në kohën e duhur, si dhe do të ofrojë zhvillime në dy drejtime të rëndësishme; në reformimin e strukturave spitalore në Shqipëri në rang rajonal dhe më tej, si dhe në ofrimin e ideve mbi organizimin e strukturave spitalore dhe strukturave të tjera rajonale.
“Qëllimi i kësaj iniciative, – theksoi ministrja Godo, - është shpërndarja e njohurive mbi modelin administrativ dhe menaxherial ndërkombëtar, në mënyrë që nëpërmjet bashkëpunimit të vihet në dukje nevoja për instrumentalizimin menaxherial dhe strukturën organizative, duke iu përshtatur sistemit shqiptar”. Gjatë punimeve të projektit do të prezantohen gjithashtu modele të spitaleve rajonale në rajonin e Toskanës (Itali), por, sipas ministres së Shëndetësisë, “nuk do të kemi një transferim të këtyre modeleve në Shqipëri, sepse vetë projekti presupozon dhe zhvillon idenë që këto transferime të modeleve duhet të bëhen duke pasur parasysh gjendjen reale në vendin tonë”.