E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrëmja e fundit e dancit modern në Durrës

I cilësuar si një prej evenimenteve më të rëndësishme të këtij sezoni pranveror në qytetin e Durrësit, Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan, në edicioni e katërt i të tij solli net të mbushura me ritëm në qytetin bregdetar. Ky aktivitet, i cili nisi në datën 30 prill do të përfundojë sonte në mbrëmje. Këtë vit morën pjesë dhjetë kompani teatrore nga Kanadaja, Italia, Turqia, Shqipëria e Hungaria, ndërsa Greqia dhe Izraeli u paraqitën me nga dy trupa. Shfaqjet e këtij edicioni të katërt të Festivalit të Dancit Modern u zhvilluan në skenën e teatrit "Aleksandër Moisiu" dhe arenën e amfiteatrit antik të Durrësit. Për herë të parë, trupat e dancit modern nga vende të ndryshme të Evropës performuan në mjediset e monumentit 1900-vjeçar, duke mundësuar edhe rritjen e numrit të shikuesve pjesëmarrës. Trupa izraelite Kolben dance company ka çelur edicionin  e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan. Shatë kërcimtarët e kompanisë Kolben në shfaqjen e  tyre Interface sollën një ndërthurje të botës mediatike dixhitale me ndryshimet e natyrës njerëzore në realitetin e ri. Pamjet filmike të Interface gërshetoheshin me gjuhën e pasur, të bukur dhe të thjeshtë të lëvizjeve, duke shtruar pyetjen: a mund të plotësojmë dëshirat tona për miqësi dhe të harrojmë vetminë që na rrethon përmes komunikimit dixhital. Trupa me përvojë 13-vjeçare që drejtohet nga regjisorët Amir Kolben dhe  Masha Waisiel  për më shumë se një orë mbërtheu spektatorët artdashës që kishin mbushur sallën e teatrit Aleksandër Moisiu të Durrësit. Duartrokitjet e merituara mbyllën mbrëmjen e parë të kompanisë izraelite, e cila përfaqëson trupën e parë artistike që ka ardhur nga Izraeli në Shqipëri. Në vijim të këtij festivali në skenën e teatrit të Durrësit u ngjiten dhe kërcimtarët Paul Ibey dhe Anton Pasquerella nga  Kanadaja me spektaklin Coelacanth. Më pas performoi trupa sllovene EnKnapGroup me shfaqjen Sky të koreografit Simone Sandroni. Në edicionin e katërt të International Festival of Modern & Contemporary Dance u duartrokitën dhe performancat e trupave nga Greqia, Anglia, Hungaria, Italia dhe Shqipëria. Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern Bashkëkohor, është një projekt që synon të kthehet në traditë. Festivali ka krijuar kushte mjaft të mira për njohjen e tendencave të dancit modern bashkëkohor, për studentët e degës së Koreografisë. Në fund të këtij aktiviteti organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Bashkëkohor do të nderojnë me Çmimin e Karrierës një nga balerinët apo koreografët e shquar shqiptarë në vite.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›